JOSEPH E. STIGLITZ
Përktheu: ADNAN KIKA
PREMTIMI I INSTITUCIONEVE GLOBALE
Burokratët ndërkombëtar—si simbole anonime të rendit botëror ekonomik –tani i janë ekspozuar sulmit kudo. Takimet e mëparshme të qeta të teknokratëve të panjohur, të cilët trajtonin tema të zakonshme, siç janë dhëniet e huave dhe kuotat tregtare, tani janë bërë skena të përleshjeve të ashpra dhe të demonstratave të mëdha në rrugë. Protestat në takimin e Organizatës Botërore të Tregtisë në Sitëll (Seatel) në vitin 1999 qenë tronditëse. Që atëherë, lëvizja është bërë më e fuqishme dhe zemërimi është përhapur më tej. Në të vërtetë, çdo takim i rëndësishëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i Bankës Botërore dhe i Organizatës Botërore të Tregtisë është tani skenë konflikti dhe trazire. Vdekja e një protestuesi në vitin 2001, në Gjenova, qe vetëm fillimi i asaj që do të mund të shkaktonte më shumë viktima në luftën kundër globalizmit
Trazirat dhe protestat kundër politikave dhe veprimeve të institucioneve të globalizmit janë jo aq të reja. Për dekada me radhë, njerëz nga bota në zhvillim kanë protestuar atëherë kur programe të ashpra të imponuara në shtetet e tyre, u treguan se janë shumë të vrazhda, mirëpo protestat e tyre në masë të madhe qenë të pavëna re në Perëndim. Ajo që është e re këtu, është vala e protestave në shtetet e zhvilluara.
Ka qenë e zakonshme që tema si huatë për rregullim strukturor (programe këto që qenë të planifikuara t’u ndihmonin shteteve për tu përshtatur dhe për ti kaluar krizat) dhe kuotat e bananeve (limitet që disa shtete evropiane i vënë mbi importin e bananeve nga shtetet tjera përveç ish-kolonive të tyre), ishin në interes të vetëm disave. Tanimë edhe fëmijët gjashtëmbëdhjetë vjeç të paralagjeve kanë pikëpamje të zhvilluara për marrëveshjet e fshehta, siç janë GATT (Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifa dhe Tregti) dhe NAFTA (Marrëveshja Veriore Amerikane e Tregtisë së Lirë), marrëveshje kjo e cila u nënshkrua në vitin 1992 në mes Meksikës, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë dhe e cila lejon lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe investimeve — por jo të njerëzve — në mes të këtyre shteteve). Këto protesta kanë shkaktuar një brejtje të pamasë të ndërgjegjjes në mesin e pushtetmbajtësve. Madje dhe politikanët konservativë, siç është Presidenti francez Zhak Shirak, shfaqën shqetësimin e tyre që globalizmi nuk po e përmirëson jetën e atyre që kanë më së shumti nevojë për përfitimet e premtuara të tij.1 Është e qartë për pothuajse çdokënd që diçka ka shkuar tmerrësisht keq. Pothuajse brenda një nate, globalizmi është bërë çështja më urgjente e kohës sonë, diçka që debatohet që nga sallat e mbledhjeve, në ‘op-ed’ faqet e gazetave e deri në shkolla anekënd botës.
Përse Globalizmi – një forcë që solli aq shumë të mira — u bë aq kundërthënëse? Hapja ndaj tregtisë ndërkombëtare i ndihmoi shumë shtete të zhvillohen shumë më shpejt sesa do të mund të zhvilloheshin në kushte të tjera. Tregtia ndërkombëtare ndihmon zhvillimin ekonomik, kur eksportet e vendit i japin shtysë rritjes ekonomike. Zhvillimi i shtyrë nga eksporti, qe baza e politikës industriale që pasuroi pjesën më të madhe të Azisë dhe ua përmirësoi dukshëm gjendjen miliona njerëzve atje. Për shkak të globalizmit, shumë njerëz në botë tani jetojnë më gjatë se përpara, dhe standardi i jetës së tyre është shumë më i lartë. Njerëzit në Perëndim mund ta konsiderojnë pagesën e ulët në Nike si eksploatim, por për shumë njerëz në Botën në zhvillim, të punuarit në një fabrikë është një opcion shumë më i mirë sesa të qëndruarit në fermë dhe kultivimi i orizit.
Globalizmi ka zbutur ndjenjën e izlomit, që ka ndier pjesa më e madhe e botës në zhvillim, dhe shumë njerëzve në botën në zhvillim u ka krijuar mundësi për dije shumë mbi nivelin madje edhe të njeriut më të pasur në cilindo shtet në shekullin e kaluar. Vetë protestat antiglobaliste janë rezultat i kësaj lidhjeje. Lidhjet në mes aktivistëve nga pjesë të ndryshme të botës, veçanërisht ato lidhjet e ngritura përmes komunikimit në Internet, sollën një trysni që rezultoi me traktatin ndërkombëtar të minave tokësore—pavarësisht nga kundërshtimi i shumë qeverive të fuqishme. I nënshkruar nga 121 shtete në vitin 1997, ky traktat zvogëloi mundësinë që fëmijët dhe viktimat e tjera të pafajshme, të gjymtoheshin nga minat. Njësoj, trysnia publike e organizuar mirë, detyroi komunitetin ndërkombëtar që të shlyente borxhet e disa shteteve më të varfra. Edhe në situata kur globalizmi ka anë negative, megjithatë ai sjell edhe përfitime. Hapja e tregut xhamajkian të qumështit për importet e ShBA-së në vitin 1992, mund të ketë dëmtuar prodhimet lokale të qumështit, por ai po ashtu nënkuptoi që fëmijët e varfër do të mund ta blinin qumështin më lirë. Firmat e reja të huaja mund të dëmtojnë ndërmarrjet e mbrojtura shtetrore, por ato po ashtu mund të sjellin futjen në përdorim të teknologjive të reja, qasjen në tregje të reja dhe krijimin i industrive të reja.
Ndihma e huaj, një aspekt tjetër i botës së globalizuar, me gjithë të metat e saj, prapëseprapë ka sjellë përfitime për miliona njerëz, shpesh në mënyra të cilat thuajse nuk janë vërejtur fare: projekti i financuar nga Banka Botërore, guerilëve në Filipine u ofroi punë, dhe ata hoqën dorë nga armët; projektet e ujitjes kanë rritur të ardhurat e fermerëve, të cilët patën fatin të merrnin ujë, dyfish e më shumë; projektet arsimore kanë sjellë shkrim-leximin në zonat rurale dhe në disa shtete projektet për SIDA-n kanë ndihmuar ndaljen e përhapjes së kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.
Ata që shpifin kundër globalizmit, shpesh nuk i vënë re dobitë e tij. Por kundërshtarët e globalizmit kanë qenë, nëse jo tjetër, më shumë të çekuilibruar. Për ta, globalizmi (që në mënyrë tipike është i lidhur me pranimin e kapitalizmit triumfues, stili amerikan) është progres; shtetet në zhvillim duhet ta pranojnë atë, nëse dëshirojnë të zhvillohen, dhe ta luftojnë varfërinë në mënyrë efektive. Por për një pjesë të madhe në Botën në zhvillim, globalizmi nuk i ka sjellë dobitë e premtuara ekonomike.
Hendeku në rritje ndërmjet atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë, gjithnjë e më shumë njerëz të Botës së Tretë i ka lënë në një varfëri të skajshme, për të jetuar me më pak se një dollarë në ditë. Me gjithë premtimet e përsëritura për uljen e varfërisë, të bëra gjatë dekadës së fundit të shekullit njëzet, numri i tanishëm i njerëzve që jetojnë në varfëri, në të vërtetë është rritur për gati 100 milionë.2 Kjo ndodhi në të njëjtën kohë kur të ardhurat e përgjithshme të botës u rritën për afro 2.5 për qind në çdo vit.
Në Afrikë, aspiratat e larta të paspavarësisë koloniale, në masë të madhe nuk u përmbushën. Në vend të kësaj, kontinenti u zhyt më thellë në mjerim, ndërkohë që të ardhurat shënojnë rënie dhe standardi i jetesës vazhdon të bjerë. Zgjatja e jetëgjatësisë, e arritur me vështirësi, në disa dekada të shkuara, ka filluar të ngec. Ndërkohë që sëmundja e SIDA-s është në qendër të kësaj rënieje, varfëria po ashtu është bërë një vrasëse. Madje edhe shtetet që kanë braktisur socializmin afrikan, që kanë arritur të vendosin qeveri mjaft të rregullta, që kanë balancuar buxhetet e tyre dhe që e kanë mbajtur të ulët inflacionin, - e shohin se ato thjesht nuk mund të tërheqin investorë privatë. Pa këto investime, ato nuk mund të kenë rritje të qëndrueshme.
Nëse globalizmi nuk ka pasur sukses në uljen e varfërisë, ai nuk ka pasur sukses as në krijimin e stabilitetit. Kriza në Azi dhe në Amerikë Latine ka kërcënuar ekonomitë dhe stabilitetin e të gjitha shteteve në zhvillim. Ekzistonë frika e përhapjes së infekcionit finaciar në botë, që kolapsi i një valute të ndonjërit nga këto vende, do të parakuptonte edhe rënie të të tjerave, gjithashtu. Gjatë një periudhe, në vitet 1997 e 1998, kriza aziatike u duk se përbënte kërcënim për krejt ekonominë e botës.
Globalizmi dhe shfaqja e ekonomisë së tregut nuk kanë treguar rezultatet e pritura në Rusi dhe në shumicën e ekonomive të tjera, të cilat ishin në tranzicion nga komunizmi në ekonomi tregu. Këtyre shteteve u ishte thënë nga Perëndimi se sistemi i ri ekonomik do t’u sillte prosperitet të pashembullt. Në vend të kësaj, ai solli varfëri të pashembullt: në shumë aspekte, për shumicën e njerëzve, ekonomia e tregut u tregua më e keqe madje sesa që kishin parashikuar prijësit e tyre komunistë. Dallimi ndërmjet transicionit të Rusisë, ashtu si u projektua nga institucionet ekonomike ndërkombëtare, dhe tranzicionit të Kinës, të projektuar nga vetë ajo, nuk do të mund të ishte më i madh: Përderisa në vitin 1990 GDP-ja e Kinës ishte sa 60 për qindëshi i asaj të Rusisë, në fund të dekadës situata ndryshoi në favor të Kinës. Ndërsa Rusia qe dëshmitare e një rritjeje te pashembullt të varfërisë, Kina pësoi një rënie të pashembullt pikërisht të varfërisë.
Kritikët e globalizmit i akuzojnë shtetet perëndimore për hipokrizi, dhe ata kanë të drejtë. Shtetet perëndimore i kanë shtyrë shtetet e varfra të heqin barrierat e tregtisë, por nuk i hoqën barrierat e veta, duke i ndaluan kështu shtetet në zhvillim të eksportojnë prodhimet e tyre bujqësore dhe në këtë mënyrë i privuan ato nga të ardhurat shumë të nevojshme nga eksporti. Një nga fajtorët kryesorë për këtë, natyrisht, qenë Shtetet e Bashkuara, dhe kjo qe një çështje e cila më shqetësonte mua. Kur isha Kryesues i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, kam luftuar me shpirt kundër kësaj hipokrizie, ashtu siç kanë bërë paraardhësitë e mi në këshill nga të dyja partitë. Kjo jo vetëm që i dëmtoi shtetet në zhvillim, por edhe u kushtoi amerikanëve miliarda dollarë, edhe si konsumatorë, për çmime më të larta që ata paguan, edhe si taksapagues, që të financonin subvencione të mëdha për bujqësinë. Përpjekjet shpesh qenë të pasukseshme. Interesi i veçantë komercial dhe financiar triumfonte—dhe, kur kalova në Bankën Botërore, i pashë fare qartë pasojat për shtetet në zhvillim.
Por, Perëndimi, qoftë edhe kur nuk ishte fajtor për hiporizi, ka sjellë axhendën e globalizmit, duke siguruar një ndarje të pabarabartë përfitimesh, në kurriz të Botës në zhvillim. Nuk ka qenë e drejtë që shtetet më të avancuara industriale kanë refuzuar të hapin tregjet e tyre për mallrat e shteteve në zhvillim—për shembull, duke i mbajtur kuotat e tyre mbi një mori mallrash nga tekstili tek sheqeri—ndërkohë që insistonin që këto shtete të hapnin tregjet e tyre për mallrat e shteteve më të pasura; nuk ka qenë e drejtë që shtetet më të avancuara industriale vazhduan të subvenciononin bujqësinë, duke e bërë më të vështirë garën për shtetet në zhvillim, ndërkohë që insistonin që shtetet në zhvillim të eliminonin subvencionet e tyre mbi mallrat industriale. Duke shikuar që “kushtet e tregtisë”—çmimet që shtetet e zhvilluara dhe ato më pak të zhvilluara i vendosin për prodhimet e tyre—pas marrëveshjes së fundit tregtare të vitit 1995 (e teta), efekti final qe të uleshin çmimet tё cilat disa nga shtetet më të varfra në botë i merrnin si normale në krahasim me atë që paguajnë për importet e tyre. Rezultati ishte që gjendja e disa shteteve më të varfra të botës u përkeqësua më tutje.
Bankat perëndimore përfituan nga humbja e kontrollit të tregjeve kapitale në Amerikën Latine dhe në Azi, por këto rajone vuajtën atëherë kur hyrja e parave të nxehta spekulative (para që vijnë e dalin jashtë një shteti, shpesh brenda një nate, zakonisht më shumë sesa të vihet bast nëse një valute do t’i rritet vlera apo do të zhvlerësohet), të cilat ishin derdhur në shtete, papritmas u kthyen mbrapsht. Dalja e papritur e parave lë prapa valuta të kolapsuara dhe sisteme bankare të dobësuara. Raundi i Uruguajit po ashtu përforcoi të drejtat mbi pronën intelektuale.
Kompanitë amerikane dhe perëndimore të barnave tani mund të parandalojnë kompanitë e barnave në Indi e Brazil nga “vjedhja” e pronës së tyre intelektuale. Por këto kompani të barnave në shtetet në zhvillim ofronin këto barna jetë-shpëtuese me një çmim më të ulët në krahasim me çmimet me të cilat shiteshin nga kompanitë perëndimore. Në këtë mënyrë, vendimet që u morën në Raundin e Uruguajit patën dy anë të ndryshme. Fitimet e kompanive perëndimore të barnave do të rriteshin. Përkrahësit thanë që kjo do t’i stimulonte më shumë ata për të bërë zbulime; por përfitimet e rritura nga shitjet, në Botën në zhvillim qenë të vogla, pasiqë vetëm një pjesë e vogël patën mundësi për të blerë barna, prandaj ndikimi i stimulimit, në rastin më të mirë, mund të ishte i kufizuar. Ana tjetër ishte që në të vërtetë mijëra të tjerë u ‘ndëshkuan’ për vdekje, sepse qeveri dhe individë në shtetet në zhvillim, nuk arrinin më të paguanin çmimet e larta të kërkuara. Në rastin e SIDA-s, indinjata ndërkombëtar ishte aq e madhe, saqë kompanitë e barnave u detyruan të zmbrapseshin, eventualisht duke pranuar të ulnin çmimet e tyre për shitjen e barnave nga fundi i vitit 2001. Por problemet themelore—fakti që regjimi i pronës intelektuale, i krijuar në Raundin e Uruguajit, nuk qe i balancuar, sepse në masë të madhe reflektoi interesat dhe përspektivat e prodhuesve, në vend se të përdoruesve, qoftë në shtetet e zhvilluara apo në ato në zhvillim—vazhdojnë.
Jo vetëm në liberalizimin e tregtisë por në secilin aspekt tjetër të globalizmit, madje edhe përpjekjet që dukeshin si qëllimmira, shpesh sollën rezultate të padëshiruara. Kur projektet, qoftë në bujqësi a në infrastrukturë, të rekomanduara nga Perëndimi, të përpiluara sipas këshillës së këshilltarëve të Perëndimit, dhe të financuara nga Banka Botërore a të tjerët, kanë dështuar, njerëzit e varfër në Botën në zhvillim akoma duhet t’i shlyejnë borxhet, përveç nëse ka pasur ndonjë formë të faljes së borxheve.
Sikur në të shumtën e rasteve përfitimet nga globalizmit të kishin qenë më të vogla sesa ithtarët e tij pretendojnë, çmimi i paguar do të ishte më i madh, pasi që ambienti është shkatërruar, procesi politik është korruptuar dhe ritmi i vrullshëm nuk u ka dhënë kohë të mjaftueshme shteteve për adaptim kulturor. Krizat që në fillim të tyre kanë sjellë papunësi masive, u pasuan nga probleme afatgjata të shpërbërjes shoqërore — nga dhuna urbane në Amerikën Latine, tek konfliktet etnike në pjesë të tjera të botës, siç është Indonezia.
Këto probleme nuk janë aq të reja, porse reagimi botëror gjithnjë e më i fuqishëm kundër politikave që shtyjnë globalizmin, është një ndryshim i rëndësishëm. Për dekada me radhë, klithmat e të varfërve në Afrikë dhe në shtetet në zhvillim në pjesët tjera të botës, kanë qenë pothuajse krejtësisht të padëgjuara në Perëndim. Punëtorët në shtetet në zhvillim, e dinin se diçka nuk ishte në rregull kur vërenin se krizat financiare bëheshin gjithnjë e më normale ndërsa numri i të varfërve rritej. Por ata nuk kishin mënyrë për të ndryshuar ligjet ose për të influencuar institucionet ndërkombëtare financiare që i kishin shkruar ato. Ata që i vlerësuan proceset demokratike, e panë se si “kushtzimi”—kushtet që huadhënësit ndërkombëtarë i imponuan në këmbim për ndihmën e tyre—cenonte sovranitetin kombëtar. Por deri në kohën kur u paraqitën protestuesit, pati pak shpresë për ndryshim dhe asnjë derë për ankim. Disa nga protestuesit krijuan ekscese; disa nga protestuesit argumentonin për barriera proteksioniste më të larta kundër shteteve në zhvillim, të cilat madje do të mund ta përkeqësonin gjendjen e tyre. Por, pavarësisht nga këto probleme, ishin sindikalistët, studentët, mbrojtësit e ambientit—qytetarët e zakonshëm—ata që marshonin në rrugët e Pragës, Sitllit, Uashingtonit dhe Gjenovës, të cilët shprehën nevojën për reformë në axhendën e Botës së zhvilluar.
Protestuesit e shohin globalizmin në një aspekt shumë të ndryshëm nga ç’e sheh Sekretari i Ministrisë së Financave të Shteteve të Bashkuara, ose ministrat e financave ose ata të tregtisë të shumicës së shteteve industrialisht të avancuara. Dallimet në pikëpamje janë aq të mëdha, saqë krijohet përshtypja nëse, vallë, politikanët dhe protestuesit janë duke folur apo jo për të njëjtin fenomen? A shohin ata të njëjtat fakte? A janë vizionet e atyre në pushtet aq të mjegulluara nga interesa speciale e të veçanta?
Çfarë është ky fenomen i globalizmit, i cili, në të njëjtën kohë i është ekspozuar një shpifjeje aq të madhe dhe një vlerësimi aq të madh? Rrënjësisht, ai është një integrim më i afërt i shteteve dhe i njerëzve të botës që është krijuar nga reduktime të mëdha të çmimeve të transportit dhe komunikimit, dhe i heqjes së barrierave artificiale për kalimin e mallrave, shërbimeve, kapitalit, dijes dhe (në një masë më të vogël) njerëzve përtej kufijve. Globalizmi është shoqëruar nga krijimi i institucioneve të reja, të cilat u janë bashkëngjitur atyre ekzistuese, për të punuar përtej kufijve. Në zonën e shoqërisë civile ndërkombëtare, grupe të reja, si lëvizje Jubilare që shtyjnë për reduktim të broxhit për shtete më të varfra, u janë bashkëngjitur organizatave, siç është Kryqi i Kuq. Globalizmi avancohet fuqishmisht nga korporatat ndërkombëtare, të cilat lëvizin tej kufijve jo vetëm kapitalin e mallrat, por edhe teknologjinë. Globalizmi ka çuar po ashtu në vëmendjen e përtërirë për institucionet ndërkombëtare ndërqeveritare të krijuara shumë kohë më parë: Kombet e Bashkuara, që mundohen të mbajnë paqen; Oragnizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), fillimisht e krijuar në vitin 1919, e cila promovon axhendën e vet në tërë botën nën slloganin “punë si duhet”; dhe Organizata Botërore e Shëndetit (WHO), e cila u përqendrua në përmirësimin e gjendjes së shëndetit në Botën në zhvillim.
Shumë prej këtyre aspekteve të globalizmit, ndoshta shumica, kanë qenë gjithkund të mirëseardhura. Askush nuk dëshiron të shohë fëmijën e tij duke vdekur, kur dija dhe barnat ekzistojnë diku tjetër në botë. Aspektet ekonomike më pak të përcaktuara të globalizmit ishin objekt i kundwrthwnieve, ndërsa insitucionet ndërkombëtare ishin ato që i shkruajtwn ligjet, të cilat fuqizojnë ose i shtyjnë gjërat, siç është liberalizimi i tregjeve të kapitalit (eliminimi i ligjeve dhe rregullave në shumë shtete në zhvillim, të cilat janë të paracaktuara për të stabilizuar lëvizjen e parave të paqëndrueshme brenda dhe jashtë shtetit).
Për të kuptuar se çfarë ka shkuar keq, është me rëndësi të shikohet në tri insitucione kryesore që admnistrojnë globalizmin: FMN-ja, Banka Botërore dhe OBT-ja. Veç kësaj, ka një mori institucionesh të tjera, të cilat luajnë një rol në sistemin ekonomik ndërkombëtar—një numër i bankave rajonale, simotra të mëdha dhe të vogla, të Bankës Botërore, dhe një numër i madh i organizatave të OKB-së, siç janë Programi i Zhvillimit i OKB-së (UNDP) ose Konferenca e OKB-së e Tregtisë dhe Zhvillimit (UNCTAD). Këto organizata shpesh kanë pikëpamje që janë dukshëm më të ndryshme sesa ato të FMN-së dhe të Bankës Botërore. ILO-ja, për shembull, shqetësohet që FMN-ja u kushton shumë pak vëmendje të drejtave të punëtorëve, ndërkohë që Banka Aziatike e Zhvillimit bën thirrje për një “pluralizëm konkurrues”, nëpërmjet të cilit shteteve në zhvillim do t’u ofroheshin opinione alternative të strategjive të zhvillimit, përfshirë “Modelin Aziatik”—në të cilin qeveritë, ndërsa mbështeten në tregje, marrin një rol aktiv në krijimin, formimin dhe udhëzimin e tregjeve, përfshirë edhe promovimin e teknologjive të reja, dhe në të cilin firmat do të merrnin një përgjegjësi të konsiderueshme për mirëqenien shoqërore të punëtorëve të tyre—që Banka Aziatike e Zhvillimit e sheh si diçka qartazi të ndryshme nga modeli amerikan, i shtyrë nga insitucionet e përqendruara në Uashington.
Në këtë libër, unë kryesisht përqendrohem në FMN-në dhe në Bankën Botërore, sepse ato kanë qenë në qendër të çështjeve kryesore ekonomike në dy dekadat e kaluara, përfshirë krizën financiare dhe tranzicionin e ish-shteteve Komuniste në ekonomi të tregut. FMN-ja dhe Banka Botërore që të dyja u themeluan në Luftën e Dytë Botërore si rezultat i Konferencës Monetare dhe Financiare të Kombeve të Bashkuara të mbajtur në Bratton Woods, New Hampshire, në Korrik të vitit 1944, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët që të financohet rindërtimi i Evropës pas shkatërrimeve të Luftës së Dytë dhe që të shpëtohet bota nga krizat ekonomike në të ardhmen. Emri i vërtetë i Bankës Botërore—Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim—reflekton misionin e saj themelor; pjesa e fundit “Zhvillim”, iu shtua pothuajse si një mendim i mëvonshëm. Në atë kohë shumica e shteteve në botën në zhvillim qenë akoma koloni dhe çfarëdo përpjekje për zhvillim ekonomik që mund tё ndërmerrej konsiderohej përgjegjësi e padronëve të tyre Evropian.
Detyra më e vështirë për krijimin e stabilitetit global ekonomik iu dha FMN-së. Ata të cilët u mblodhën në Bretton Woods, e patën të freskët në mendjet e tyre, krizën globale të viteve 30. Gati shtatëdhjetëepesë vite më parë, kapitalizmi përballi krizën e tij më të rëndë deri tani. Depresioni i Madh kapi krejt botën dhe çoi te një papunësi e pashembullt. Në momentin më të rёndё, çereku i forcës punëtore amerikane qe e papunë. Ekonomisti Britanik Jon Maynard Keynes, i cili më vonë do të bëhej pjesëmarrësi kryesor në Bretton Woods, ofroi një shpjegim të thjeshtë dhe një varg të recetave të thjeshta: mungesa e kërkesës totale të mjaftueshme shpjegonte rёniet ekonomike: politikat qeveritare mund të ndihmonin stimulimin e kërkesës totale. Në raste kur politika monetare është joefektive, qeveritë mund të mbështeten në politika fiskale, ose duke rritur harxhimet ose duke shkurtuar taksat. Ndonёse modelet që gjenden prapa analizave të Keynes-it, më pas u kritikuan dhe përmirësuan, duke ofruar një të kuptuar më të thellë të arsyeve pse tregjet nuk punojnë me shpejtësi për të vendosur ekonominë në full-employment, leksionet themelore mbesin valide.
Fondi Monetar Ndërkombëtar u ngarkua që të parandaloj një krizë tjetër globale. Ai do ta bënte këtë duke bërë presion ndërkombëtar në shtetet të cilat nuk po jepnin hisen e tyre që u takon për të mbajtur nevojat e kërkesës totale të mjaftueshme globale dhe duke i lënë ekonomitë e tyre të pёsojnё rënie. Atëherë kur ishte e domosdoshme ai po ashtu do të ofronte likuiditet në forma të huave për ato shtete të cilat përballeshin me rënie ekonomike dhe që ishin të paafta për të stimuluar kërkesën totale të mjaftueshme me burimet e tyre.
Atëherë, në konceptimin e vet origjinal, FMN-ja u bazua në pranimin që tregjet shpesh nuk funksiononin mirë—që ato mund të rezultojnë në papunësi masive dhe mund të dështojnë për tw ofruar fonde tё nevojshme që të ndihmohen shtetet për rimëkëmbjen e ekonomive tё tyre. FMN-ja u themelua në besimin që kishte nevojë për veprim kolektiv në nivel global për stabilitet ekonomik, njësoj siç u themelua OKB-ja në bindjen që kishte nevojë për veprim kolektiv në nivel global për stabilitet politik. FMN-ja është një institucion publik i krijuar me paratë e ofruara nga taksapaguesit anekёnd botës. Kjo është me rëndësi të përkujtohet sepse ai nuk raporton direkt as te qytetarët që e financojnë atë ose te ata që i përjetojnë ndikimet e tij. Më saktë, ai i raporton ministrave të financave dhe bankave qendrore te qeverive të botës. Ata shpallёn kontrollin e tyre përmes një marrëveshjeje votimi të komplikuar të bazuar kryesisht në fuqinë ekonomike të shteteve në fund të Luftës së Dytë Botërore. Që atëherë ka pasur disa rregullime të vogla, por shtetet kryesore tё zhvilluara e kanë drejtuar atë, me vetëm një shtet, Shtetet e Bashkuara, që kishte veto të vërtetë. (Në këtë kuptim ishte e njëjtë me OKB-në, ku një anakroni historike përcaktoi kush e ka veton—fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore—por aty të paktёn fuqia e vetos është e ndarë në mes pesë shteteve).
Përgjatë viteve, që nga themelimi i saj, FMN-ja ka ndryshuar dukshëm. I themeluar në bindjen që tregjet shpesh funksiononin keq, ai tani mbron epërsinë e tregut me entuziazëm ideologjik. I themeluara në bindjen që ka nevojë për presion ndërkombëtar mbi shtetet që të kenë politika ekonomike më zgjeruese—siç janë, rritja e shpenzimeve, shkurtimi i taksave ose ulja e përqindjes së interesit për të stimuluar ekonominë—FMN-ja sot në mënyrë tipike jep fonde vetëm nëse shtetet aplikojnë politika, si pakësimi i deficitit, rritja e taksave ose rritja e përqindjeve të interesit që kanë ndikim negativ në ekonomi. Keyne-i do të rrokullisej në varrin e tij sikur ta shihte se çfarë ka ndodhur me krijesën e tij.
Ndryshimi më dramatik në këto institucione ndodhi në vitet 1980, në epokën kur Ronald Regani dhe Margaret Theçeri predikuan ideologjinë e tregtisë së lirë në Shtetet e Bashkuara dhe nё Britani. FMN-ja dhe Banka Botërore u bënë institucione të reja misionare, përmes së cilave këto ide u futën në shtetet e varfra dhe ngurruese të cilat shpesh patën shumё nevojë për huat dhe ndihmat financiare të tyre. Ministrat e financave në shtetet e varfra ishin të gatshëm të përshtateshin, nëse ishte e domosdoshme, nё mёnyrё që të sigurojnë fondet, edhe pse shumica dërrmuese e zyrtarëve qeveritar, apo më mirë, njerëzit në këto shtete, shpesh mbetën skeptikё. Në fillim të viteve 1980 brenda Bankës Botërore ndodhi një spastrim në departamentin e saj për hulumtime, që e udhёhiqte të menduarit dhe drejtimin e Bankës. Hollis Chenery, një nga ekonomistët Amerikan më të shquar të zhvillimit, që ishte profesor në Harvard i cili kishte dhënë kontribut fundamental për hulumtime në ekonomi të zhvillimit dhe të lëmive tjera, ishte njeriu i besuar dhe këshilltarë i Robert McNamaras. McNamara u emërua president i Bankës Botërore në vitin 1986. I prekur nga varfëria të cilën ai e pa nëpёr Botën e Tretë, McNamara ridrejtoi përpjekjet e Bankës në eliminimin e saj dhe Chenery mblodhi grupin e klasit të parë të ekonomistëve nga krejt bota që të punojnë me të. Por me ndërrimin e ekipit erdhi një president i ri në vitin 1981, William Clausen dhe një udhëheqës ekonomie, Ann Krueger, një specialiste ndërkombëtar tregtie, më së shumti e njohur për punën e saj në “kërkimin e qirasë”—mënyrën se si interesat speciale i përdorin tarifat dhe masat tjera mbrojtëse për të shtuar të ardhurat e tyre në llogari të të tjerëve. Ndërkohë që Chenery dhe ekipi i tij ishin përqendruar në atë se si tregjet kishin dështuar në shtetet në zhvillim dhe çka duhej të bënin qeveritë që të përmirësojnë tregjet dhe ta ulin varfërinë, Krueger e konsideroi qeverinë si problem. Tregjet e lira qenë zgjidhje për problemet e shteteve në zhvillim. Me shfaqjen e entuziazmit tё ri ideologjik, shumica e ekonomistëve të klasit të parë të cilët Chenery i kishte mbledhur u larguan.
Edhe pse detyrat e dy institucioneve mbesin të ndryshme, aktivitetet e tyre në këtë kohë u gërshetuan gjithnjë e më shumë. Në vitet 1980, Banka shkoi më larg sesa vetëm të huazoj për projekte (siç janë rrugët dhe penat) të cilat ofronin mbështetje të bazuar gjerësisht, në formë të huave për rregullim struktural; por ajo bëri këtë vetëm atëherë kur FMN-ja imponoi kushte ndaj atij shteti. FMN-ja mendohej të përqendrohej në kriza; por shtetet në zhvillim gjithherë patën nevojë për ndihmë, kështu që FMN-ja u bë pjesë permanente e jetës në botën në zhvillim.
Rënia e Murit të Berlinit krijoi një zonë të re për FMN-në: menaxhimin e tranzicionit në një ekonomi tregu në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në shtetet e bllokut Sovjetik në Evropë. Krejt së voni, ndërsa kriza bëhej më e madhe dhe madje edhe kasafortat e thella të FMN-së dukej se ishin të pamjaftueshme, Banka Botërore u thirr të ofroj dhjeta miliardë dollarë për mbështetje emergjente, por në mënyrë strikte si partner i ri, me udhëzimet e programeve të drejtuara nga FMN-ja. Në parim, pati ndarje të punës. Kur FMN-ja është marrë me ndonjë shtet, ajo është dashur ta kufizonte fushëveprimin e vet në çështje të makroekonomisë, si deficiti i buxhetit të qeverisë, politika e tij monetare, inflacioni i tij, deficiti i tregtisë, dhe huat e marra nga jashtë; dhe Banka Botërore wshtw dashur të jetë përgjegjëse për çështjet strukturale—si shpenzimi i parave nga ana e qeverisё sё shtetit, institucionet financiare të shtetit, tregun e tij të punës dhe politikën e tij të tregtisë. Por FMN-ja krijoi një pikëpamje më shumë imperialiste të çështjes: meqenëse pothuajse gati çdo çështje strukturale mund ta ndikoj krejt funksionimin e ekonomisë dhe prandaj buxhetin e qeverisë ose deficitin e tregtisë, ai vёrejti se pothuajse gjithçka po binte brenda sferës së tij. Fondi shpesh u bë i padurueshëm me Bankën Botërore, ku madje në vitet kur ideologjia e tregut të lirë mbisundonte kishte kundërshtime të shpeshta rreth asaj se cilat politika më së miri do të ndiqnin kushtet e shtetit. FMN-ja kishte përgjigjet (kryesisht, të njëjta për secilin shtet), dhe i pa të nevojshme të gjitha këto diskutime dhe ndërsa Banka Botërore debatoi rreth asaj se çka duhet të bëhet, e gjeti vetveten në vakum për dhënien e përgjigjeve.
Të dy institucionet do të mund ti ofronin shteteve perspektiva alternative ndaj sfidave të zhvillimit dhe tranzicionit dhe duke bërë këtë ato do të mund të forconin proceset demokratike. Por që të dyja u udhëhoqën nga dëshira e G-7 (qeveritë e shtatë shteteve më të industrializuara), dhe posaçërisht ministrave tё tyre të financave dhe sekretarëve tё Ministrive të Financave dhe gjëja e fundit që ata dëshironin ishte tё kishte një debat tё drejtpërdrejt demokratik rreth strategjive alternative.
Gjysmë shekulli pas themelimit të tij, është e qartë se FMN-ja ka dështuar në misionin saj. Ai nuk ka bërë atë çka është dashur të bënte—të ofronte fonde për shtetet të cilat ballafaqoheshin me rënie ekonomike dhe t’ia mundësoj shtetit që ta përmirësoj vetveten dhe ta rrisë shumё punësimin. Pavarësishtë nga fakti që të kuptuarit tonë për proceset ekonomike është rritur shumë gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, krizat nëpёr botë kanë qenë më të shpeshta (me përjashtim të Krizёs së Madhe) dhe më të thella. Sipas disa llogaritjeve, afёrsisht njëqind shtete kanë pasur kriza. Çdo treg i madh i shfaqur i cili e ka liberalizuar tregun e tij tё kapitalit ka pasur së paku një krizë. Por kjo nuk është vetëm një goditje e fatit të keq. Shumica e politikave të cilat i ka shtyrë FMN-ja, nё veçanti liberalizmi i parakohshëm i tregut të kapitalit, ka kontribuar për paqëndrueshmëri globale. Dhe kur një herë vendi futej në krizë, fondet dhe programet e FMN-së jo vetëm se dështonin nё stabilizimin e situatës por në shumë raste në tё vёrtetё i përkeqësonin gjërat, posaçërisht për të varfëritë. FMN-ja dështoi në misionin e tij fillestar për promovimin e stabilitetit global; ai po ashtu nuk ka pasur sukses në misionet e reja të cilat i ka ndërmarr, siç është drejtimi i tranzicionit të shteteve nga komunizmi nё ekonomi tё tregut.
Marrëveshja e Bretton Woods-it bёri thirrje për një organizatë të tretë ndërkombëtare ekonomike—Organizata Botërore e Tregtisë që të qeverisë marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare, qё ishte një punë e njëjtë me qeverisjen e marrëdhënieve financiare ndërkombëtare nga ana e FMN-së. Politikat tregtare tё Komshiut-Lypës, në të cilat shtetet i rritën tarifat për të mbajtur vet ekonomitë e tyre por nё kurriz të fqinjëve të tyre, kryesisht u fajësuan për përhapjen e krizës dhe tё intensitetit të saj. Një organizatë ndërkombëtare u deshtë që jo vetëm të ndaloj rishfaqjen e lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve por edhe ta inkurajoi atë.
Ndonëse Marrëveshje e Përgjithshme për Tarifa dhe Tregti (GATT) pati sukses pёr një ulje tё madhe tё tarifave, arritja e pajtimit final qe një gjë e vështirë; nuk qe e mundur deri më 1995, një gjysmë shekulli pas përfundimit të luftës dhe dy të tretat e një shekullit pas Depresionit të Madhe, kur Organizata Botërore e Tregtisë u krijua. Por OBT-ja dallon dukshëm nga dy organizatat tjera. Ajo nuk i bënë vet ligjet; por ajo krijon një forum në të cilin zhvillohen negociatat tregtare dhe ajo garanton pёr jetёsimin e marrëveshjeve.
Idetë dhe qëllimet prapa krijimit të institucioneve ndërkombëtare ekonomike qenë të mira, sidoqoftë përgjatë viteve ato evoluan ngadalë saqë u bënё krejtsisht të ndryshme. Orientimi Keynesian i FMN-së, i cili thekson dështimet e tregut dhe rolin e qeverisë në krijimin e vendeve të punës, u zëvendësua nga një formulë e tregut të lirë të viteve 1980, pjesë e një Konsensusi të Ri të Uashingtonit: - një konsensus ndërmjet FMN-së, Bankës Botërore dhe Ministrisë së Financave të ShBA-ve rreth politikës “së drejtë” për shtetet në zhvillim—që sinjalizoi një qasje radikalisht të ndryshme për zhvillim dhe stabilizim ekonomik.
Shumica e ideve të gërshetuara në konsensus u zhvilluan si reagim i problemeve në Amerikë Latine, ku qeveritë lejuan që buxhetet të dalin jashtë kontrollit ndërkohë që politika e shthurur monetare çoi te një inflacion i pakontrollueshëm. Një hov në zhvillim në disa nga këto shtete të këtij rajoni nё dekadat menjëherë pas Luftës së Dytë nuk vazhduan, më së shumti për shkak të intervenimit të tepruar të qeverisë në ekonomi. Fatkeqësisht, idetë që u zhvilluan për tu marrë me probleme të veçanta për shtetet e Amerikës Latine u aplikuan në shtete tjera, shtete këto me struktura ekonomike, fuqi dhe dobësi, krejtësisht të ndryshme. Politika, si pёr shembull liberalizmi i tregut tё kapitalit, u futën përgjatë Amerikës Latine, para se atje tё kishte një trup të fuqishëm ose të teorisë ose të përvojёs për promovimin e zhvillimit. Madje edhe atëherë kur përvojat treguan se politika të këtilla kontribuan për jostabilitet, ato u futën tjetërku, nganjëherë në situata nё tё cilat u përshtatën madje në mënyrë edhe më të keqe.
Në shumë raste, politikat e Koncenusit të Uashingtonit, edhe nëse qenë të përshtatshme në Amerikë Latine, qenë të papërshtatshme për shtetet në fazat fillestare të zhvillimit ose ato nё tranzicion. Shumica e shteteve të zhvilluara industriale—përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë—i ngritën ekonomitë e tyre me mençuri duke i mbrojtur industritë e tyre në mënyrë selektive derisa ato u bënë mjaft të fuqishme që të mund tё garojnë me kompanitë e huaja. Ndërsa proteksionizmi i mbuluar shpesh nuk funksionoi për shtete të cilat e provuan atë, nuk funksionoi as liberalizmi i shpejtuar i tregtisë. Detyrimi i një shteti në zhvillim që të hapet pёr importin e prodhimeve që do të garonte me ato të prodhuara nga disa industri të tij, industri të cilat qenë shumë të cenueshme nga konkurrenca nga industritë homologe shumë më të fuqishme në shtete tjera, mund të ketë pasoja katastrofike—shoqërore dhe ekonomike. Vendet e punës u shkatërruan në mënyrë sistematike—bujqit e varfër në shtetet në zhvillim thjesht nuk mundën të garojnë me mallrat shumë të subvencionuara nga Evropa dhe Amerika—para se sektorët industrialë dhe agrar të shteteve qenë në gjendje të zhvillohen dhe të krijojnë vende te reja pune. Madje edhe më keq, insistimi i FMN-së që shtetet në zhvillim të mbajnë politika të shtrënguara monetare ka çuar në përqindje të interesit që do ta bënte të pamundur krijimin e vendeve të punës madje dhe në rrethanat më të mira. Dhe për shkak se liberalizimi i tregut ndodhi para masave tё sigurimit, ata të cilët i humbën vendet e tyre të punës iu nënshtruan varfërisë. Liberalizimi në këtë mënyrë dhe shumë shpesh, nuk u pasua nga zhvillimi i premtuar, por nga njё mjerim i shtuar. Dhe madje edhe ata të cilët nuk i humbën vendet e tyre të punës u goditën nga një ndjenjë e madhe pasigurie.
Kontrollet e kapitalit janë një shembull tjetër: shtetet Evropiane ndaluan lëvizjen e lirë të kapitalit deri në vitet e shtatëdhjeta. Disa mund të thonë që nuk është e drejtë të insistohet që shtetet në zhvillim me njё funksionim tё dobёt të sistemit bankar rrezikojnё nёse hapin tregjet e tyre. Por duke e lënë manash një ide të tillë të paanësisë, ekonomia e tyre e dobët; kalimi i parave të nxehta brenda dhe jashtë shtetit, që shumë shpesh ndodhë pas liberalizimit të tregut tё kapitalit, ёshtё ajo qё lë pas shkatërrim të madh. Shtetet e vogla dhe në zhvillim janë si anije të vogla. Liberalizimi i shpejt i tregut tё kapitalit, në një mënyrë të atillë të imponuar nga FMN-ja, është e barabartë më lëshimin e tyre të lundrojnë në një udhëtim në det të trazuar, para riparimit tё vrimave në anije, para se kapiteni të ketë marrë trajnimin e duhur dhe para se jelekët prej ajri të jenë vendosur në tё. Madje në rrethanat më të mira, ka shumë të ngjarë që ata do të përmbyseshin posa ti godiste një valë e fuqishme.
Madje edhe sikur FMN-ja tё ket pranuar teori ekonomike “të gabuara”, ndoshta nuk do të kishte rëndësi sikur sfera e aktivitetit të tij të jetë e kufizuar në Evropë, Shtete të Bashkuara dhe shtete tjera industrialisht të zhvilluara të cilat mund ta mbrojnë vetveten e tyre. Por fundi i kolonializmit dhe i komunizmit u ka krijuar institucioneve financiare ndërkombëtare mundësinë pёr zgjatje tё mandatit tё tyre fillestar. Sot këto institucione janë bërë lojtarët dominant në ekonominë e botës. Jo vetëm shtetet që kërkojnë ndihmën e tyre por edhe ato të cilat kërkojnë “vulën e aprovimit” që në mënyrë më të mirë të mund tё hyjnë në tregjet kapitale ndërkombëtare duhet të pasojnë urdhrat e tyre ekonomike, urdhra këto të cilat reflektojnë ideologjitë dhe teoritë e tyre të tregut të lirë.
Rezultati për shumë njerëz qe varfëria dhe për shumë shtete kaosi politik dhe shoqëror. FMN-ja ka bërë gabime në të gjitha zonat në të cilat është involvuar: zhvillim, menaxhim krizash dhe në shtete të cilat ishin nё tranzicion nga komunizmi në kapitalizëm. Programet e rregullimit strukturor nuk sollën zhvillim të qëndrueshëm madje as te ato shtete si, Bolivia, që përkrahte kritikat e veta; në shumë shtete, kursimi i tepruar ia zuri frymën zhvillimit; programet e suksesshme ekonomike kërkojnë një kujdes të skajshëm në vazhdimёsi—të rendit në të cilin ndodhin reformat—dhe ritëm. Për shembull, nëse hapen tregjet për garim në mënyrë të shpejtuar, para se të themelohen institucionet e fuqishme financiare, atëherë vendet e punës shkatërrohen më shpejt sesa që krijohen vendet e reja. Në shumë shtete, gabimet e bëra në vazhdimёsi dhe ritëm çuan nё papunësi dhe varfëri në rritje. Në krizën Aziatike të vitit 1997, politikat e FMN-së pёrkeqësuan krizat në Indonezi dhe Tajlandë. Reformat e tregut të lirë në Amerikë Latine patën një ose dy suksese—Kili përmendet në mënyrë të vazhdueshme—por pjesa tjetër më e madhe e kontinentit ka akoma për të kompensuar për dekadën e humbur të zhvillimit që pasoi pastrimin e ashtuquajtur të suksesshëm të FMN-së të fillimit të viteve 1980 dhe shumica tani kanë përqindje të larta të papunësisë—në Argjentinë, për shembull, në nivel dy-shifror që nga viti 1995—sapo inflacioni ishte ulur. Kolapsi i vitit 2001 në Argjentinë është një nga shumë dështimet e kohëve të fundit përgjatë pesë viteve të fundit. Duke i pasur parasysh përqindjet e larta të papunësisë për gati shtatë vite, shqetësimi nuk është në atë që qytetarët shkaktuan trazira, por sepse ata vuajtën tepër shumë dhe për një kohë shumë të gjatë. Bile edhe ato shtete të cilat përjetuan një rritje të kufizuar kanë parë shtimin e përfitimeve deri në kamje dhe posaçërisht kamje tё madhe—top 10 përqindja—ndërkohë që varfëria ka mbetur e lartë dhe në disa raste të ardhurat e atyre në fund madje kanë rënë mëtutje.
Problemet themelore të FMN-së dhe të institucioneve tjera ndërkombëtare ekonomike janё probleme tё qeverisjes: kush vendosë çka bëjnë ato. Institucioent dominohen jo vetëm nga shtetet më të pasura industriale por edhe nga interesat komerciale dhe financiare në këto shtete dhe politikat e institucioneve në mënyrë natyrale reflektojnё këtë. Zgjedhja e udhëheqësve të këtyre institucioneve simbolizonë problemin e këtyre institucioneve dhe shumë shpesh ka kontribuuar për mosfunksionimin e tyre. Ndërkohë që pothuajse të gjitha aktivitetet e FMN-së dhe ato të Bankës Botërore sot bëhen në botën në zhvillim (me siguri, tё gjitha nё huadhёnie), udhëhiqen nga përfaqësues nga shtetet e industrializuara. (Zakonisht ose me marrëveshje të pa shprehur me fjalë, kryetari i FMN-së është gjithherë evropian, ndërsa ai i Bankës Botërore, amerikan). Ata zgjidhen pas dyerve të mbyllura dhe madje as qё ka ndodhur ndonjëherë që udhëheqësi duhej të kishte ndonjë eksperiencë në botën në zhvillim. Institucionet nuk janë pёrfaqёsues të kombeve të cilave u shërbejnë.
Problemet po ashtu ngriten rreth asaj se kush flet për shtetin. Në FMN, janë ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore. Në OBT, janë ministrat e tregtisë. Secili nga këta ministra është i lidhur për së afërmi me përzgjedhës të veçantë brenda shtetit të tyre. Ministrat e tregtisë pёrfaqёsojnё shqetësimet e komunitetit të biznesit—si ekspertët të cilët dëshirojnë të shohin tregje të reja të hapura për prodhimet e tyre edhe prodhuesit e mallrave të cilët ia kanë frikën konkurrencës nga importet e reja. Natyrisht, këta përzgjedhës dëshirojnë të mbajnë sa më shumë barriera tregtare që munden dhe mbajnë çfarëdo subvencioni qё arrijnë ta bindin Kongresin (ose parlamentin e tyre) që tu jap atyre. Fakti që barrierat tregtare rrisin çmimet për konsumatorët ose që subvencionet imponojnë barra mbi taksa-paguesit është me më pak rëndësi nga përfitimi i prodhuesve—dhe çështjet e ambientit dhe punës janë të një rëndësie edhe më të vogël, ndryshe nga pengesat të cilat duhet të tejkalohen. Ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore janë të lidhur ngushtë me komunitetin financiar; ata vijnë nga firmat financiare dhe pas periudhës së shërbimit të tyre qeveritar, janë ato tek të cilat ata kthehen. Robert Rubin, sekretar i Misnitrisë së Financave gjatë kohës më të gjatë të periudhës së përshkruar në këtë libër, vjen nga banka më e madhe investuese, Goldman Sach, dhe kthehet tek firma, Citigroup, që e kontrollon bankën më të madhe komerciale, Citibank. Personi numër dy në FMN gjatë kësaj periudhe, Stan Fischer, shkoi direkt nga FMN-ja në Citigroup. Këta individë në mënyrë të natyrshme e shikojnë botën me sy të komunitetit financiar. Vendimet e çfarëdo institucioni natyrshëm reflektojnë perspektivat dhe interesat e atyre të cilët i marrin këto vendime; jo befasisht, ashtu siç do të shohim në mënyrë të përsëritur në kapitujt që vijnë, politikat e institucioneve ndërkombëtare ekonomike janë shpesh të lidhura ngushtë me interesat komerciale dhe financiare të atyre në shtetet industrialisht të zhvilluara.
Për bujqit në shtetet në zhvillim të cilët me mund të madh paguajnë taksat e huave të FMN-së të vendit të tyre ose pёr biznesmenët të cilët vuajnë nga taksa me vlerë të shtuar si rezultat i imponimeve nga FMN-ja, sistemi i tanishëm i udhëhequr nga FMN-ja është një sistem i vënies së taksave pa pёrfaqёsim. Zhgënjimi me sistemin ndërkombëtar të globalizmit nën mbrojtjen e FMN-së rritet ashtu si të varfëritë në Indonezi, Marok ose Guine të Re kanë pakësim në karburante dhe ushqime, ashtu si ata në Tajlandë e shohin SIDA-në që po shtohet si rezultat i shkurtimeve të detyruara në harxhime për shëndetësi nga ana e FMN-së dhe ashtu si familjet në shumë shtete në zhvillim bëjnë një zgjedhje te dhimbshme që të mos i dërgojnë vajzat e tyre në shkollë, sepse u duhet të paguajnë për arsimimin e fëmijëve të tyre nën të ashtuquajturin programet e pёrmirёsimit tё çmimeve .
Njerëzit krijojnë trazira, atёherё kur lihen pa ndonjë alternativë dhe pa asnjë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre dhe pёr tё bërë presion për ndryshime. Rrugët, natyrisht, nuk janë vendet ku mund të diskutohen çështjet, të formulohen politikat ose tё arrihen kompromiset. Por protestat janë ato që i kanë shtyrë zyrtarët qeveritarё dhe ekonomistët anekënd botës që të mendojnë për alternativa të këtyre politikave të Konsensusit të Uashingtonit si mënyra e vetme dhe e drejt për zhvillim dhe rritje ekonomike. Është bërë gjithnjë e më e qartë jo vetëm për qytetarët e zakonshëm por edhe për politikëbërësit, dhe jo vetëm për ata në shtetet në zhvillim por edhe në shtetet e zhvilluara, që globalizmi ashtu siç është praktikuar nuk e ka jetësuar atё qё mbrojtёsit e tij kanë premtuar—ose çka ka mundur dhe ёshtё dashur tё bëjë. Në disa raste ai madje as që ka rezultuar me rritje ekonomike, por edhe atëherë kur e ka bërë këtë, nuk ka sjellë përfitime për të gjithë; net effect i politikave të vëna nga Konsensusi i Uashingtonit ka qenë shpesh i atillë që të përfitojnë disa në kurriz të shumë të tjerëve, arritja e mirëqenies në kurriz të të varfërve. Nё shumë raste interesat dhe vlerat komerciale ia kanë zënë vendin shqetësimeve për ambientin, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë shoqërore.
Vet Globalizmi as nuk është i mirë e as i keq. Ai ka fuqinë për të bërë të mira të panumërta dhe për shtetet e Azisë Lindore, të cilat e kanë përqafuar globalizmin me kushtet e tyre dhe me ritmin e tyre, ai solli një përfitim të madh, përkundër pengesës së pengesës së vitit 1997. Por në pjesën më të madhe të botës ai nuk ka sjellë përfitime qё krahasohen me këto.
Eksperienca e Shteteve të Bashkuara gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë nxjerr një paralele të mirë për globalizmin e sotshëm—dhe kontrasti ndihmon për të ilustruar suksesin e së kaluarës dhe dështimet e së tashmes. Nё atë kohë, kur kostot e transportit dhe komunikimit ranë dhe tregjet e mëhershme lokale u zgjeruan, ekonomi të reja kombëtare u formuan dhe me këto ekonomi të reja kombëtare u shfaqën kompani të reja kombëtare, të cilat bënin biznes nëpër krejt vendin. Por nuk u lejua qё tregjet të zhvillohen dashur padashur dhe vetvetiu; qeveria luajti një rol vital në formimin e evoluimit të ekonomisë. Qeveria e ShBA-ve arriti liri të gjerë veprimi ekonomik kur gjyqet interpretuan gjerësisht dispozitat kushtetore të cilat i lejojnë qeverisë federale rregullimin e tregtisë ndërshtetërore. Qeveria federale filloi ta rregulloj sistemin financiar, vuri fitimin minimal dhe kushtet e punës dhe bёri qё sistemet për papunësi dhe ato pёr mirëqenie të merren me probleme të shkaktuara nga një sistem i tregut. Qeveria federale po ashtu promovoi disa industri (për shembull, linjën e parë të telegrafit, e instaloi qeveria federale ndërmjet Baltimorit dhe Uashingtonit në vitin 1842) dhe i inkurajoi të tjerat, si bujqsinё, jo vetëm tё ndihmoj për krijimin e universiteteve që të bëjnë kërkime por tё ofroj shërbime shtesë në mënyrё qё tё trajnohen bujqit nё teknologjitë e reja. Qeveria federale luajti një rol qendror jo vetëm në promovimin e rritjes ekonomike Amerikane. Edhe nëse nuk u angazhua në lloje të politikave aktive të rishpërndarjes, së paku pati programe përfitimet e të cilave u shpërndanë gjerësisht—jo vetëm të atyre që e përhapën arsimimin dhe e përmirësuan prodhimtarinë agrare, por edhe dhënie tё tokës të cilat ofruan një shans minimale për të gjithë amerikanët.
Sot, me rënien e vazhdueshme në kostot e transportit dhe komunikimit dhe uljen e barrierave të krijuara nga njeriu për mallrat, shërbimet dhe kapitalin (edhepse mbeten akoma barriera serioze për lëvizjen e lirë të klasës punëtore), ne kemi një proces të “globalizmit” i ngjashëm me proceset e mëhershme në të cilat u formuan ekonomitë e shtetit. Për fat të keq, nuk kemi njё qeveri të botës, i pёrgjegjshёm te njerëzit e çdo shteti, që ta mbikëqyrë procesin e globalizmit në një mënyrë të ngjashme me mënyrën që qeveritë kombëtare drejtuan procesin e shtetëzimit. Në vend të kësaj, kemi një sistem që mund të quhet qeverisje globale pa qeveri globale, i atillë në të cilin pak institucione—Banka Botërore, FMN-ja dhe OBT-ja—dhe disa lojtarë—ministrat e financave dhe tregtisë të lidhur ngushtë me interesa të caktuara financiare dhe komerciale—e dominojnë skenën, por në të cilën shumica e atyre që ndikohen prej vendimeve të tyre kanë mbetur pothuajse pa zë. Është koha për të ndryshuar disa ligje që qeverisin rendin ndërkombëtarë ekonomik, përsëri të mendohet rreth asaj se si merren vendimet ne nivel ndërkombëtar—dhe ne interes të kujt—dhe të vihet më pak theks në ideologjinë dhe të shikohet më shumë në çka funksionon më mirë. Është thelbësore që zhvillimi i suksesshëm të cilin e kemi parë në Azinë Lindore të arrihet gjetkë. Ka një çmim të lartё qё duhet tё paguhet nga vazhdimësia e paqëndrueshmërisë globale. Globalizmi mund të riformohet dhe kur të ndodhë kjo, dhe të ndodhë në mënyrë të duhur dhe të udhëhequr mirë, dhe qё të gjitha shtetet tё kenё një zë në politikat që i prekë ata, ka një mundësi që ai do të ndihmojë të krijohet një ekonomi e re globale në të cilën zhvillimi ekonomik është jo vetëm më i vazhdueshёm dhe më pak i paqëndrueshёm por frytet e këtij zhvillimi ndahen në mënyrë më të barabartë.
Shënim: Nga libri: Globalization and it's Discontents.
Burimi: trendet.net |