Header image  
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit  
line decor
   Deutsch / English
line decor
 
 
 
 

 
 

Barazia shoqërore në Islam

 

Barazi shoqërore do të thotë barazi para ligjit, ose barazi për të gjithë. Para ardhjes së Islamit barazia shoqërore ishte pothuajse e panjohur si në teori ashtu dhe në praktikë. Ishte Islami që vendosi barazi shoqërore për herë të parë në historinë e njerëzimit. Ndryshimi i rendit të vjetër shoqëror, është një fakt i njohur nga çdo mendimtar jo mysliman. Suami Vivekanad (1863-1902) shkruan në një prej letrave të tij: “N.q.s. ka pasur ndonjë fe që e ka trajtuar drejtësinë në një mënyre të çmueshme, është Islami dhe vetëm Islami” (fq. 379).

Kontributi i Islamit në këtë fushë mund të konsiderohet në tri drejtime;
a. Formimi i një ideologjie të plotë mbi barazinë njerëzore dhe drejtësinë.
b. Nxitja e fortë për vënien në praktikë të kësaj ideologjie dhe
c. Ofrimi i një shembulli të gjallë mbi barazinë dhe drejtësinë në të gjitha fushat e jetës.

 

Koncepti i barazisë

Në antikitet koncepti i pabarazisë njerëzore, që mbizotëronte kudo, ishte shkak për rritjen e padrejtësisë në çdo shoqëri. Filozofi grek, Aristoteli, i cilësonte disa klasa te shoqërisë si skllevër të lindur. Edhe pse ekzistonin mendimtarë të tjerë që nuk kishin të njëjtin mendim, skllavëria vazhdoi të përhapet në Romë dhe Greqi dhe në gjithë botën antike.
Në kohët moderne ky koncept u forcua më tej nga Darvini me teorinë e evolucionit, sipas së cilës mendohet se njerëzimi ka kaluar në disa etapa të zhvillimit, kulmi i tyre është civilizimi i bardh evropian.
Koncepti paragjykues i diferencave midis racave, i përcjellë tek ne nga kohët antike, i hapi rrugën diskriminimit racial. Diskriminimi i këtij lloji gjeti mbështetje shkencore në kohën moderne në teorinë evolucioniste të Darvinit, sipas së cilës gjatë procesit të evolucionit disa grupe arritën progres të dallueshëm, ndërsa grupe të tjera mbetën shumë mbrapa. Pra, disa grupe kaluan në një nivel superior ndërsa të tjerë mbetën në jetën primitive.
Fal teorisë së evolucionit, kombet evropiane i konsideruan kombet e tjera si të një niveli inferior ndaj tyre. Kështu lindi ideja e “misionit të njeriut të bardh”, sipas së cilës racat e bardha e konsideronin veten te veshur me të drejtën natyrore për të nënshtruar pjesën tjetër të botës, në mënyrë që ta qytetëronin atë. Kjo ishte logjika që qëndronte pas kolonializmit të kohës moderne. Ide të tilla, në një farë mase, ekzistojnë edhe sot.
Bota e sotme mund të ndahet në dy pjesë, bota tradicionale dhe ajo e shkencës. E para duket e pazhvilluar ndërsa e dyta e zhvilluar, por nga këndvështrimi i barazisë shoqërore nuk ka ndryshim, pasi në të dyja pjesët ekzistojnë besëtytni që formojnë një pengesë të qëndrueshme ndaj barazisë shoqërore.
Bota tradicionale është e influencuar në një mase të gjerë nga besimet tek Karma, teori sipas së cilës, çdo njeri sapo lind, është përgjegjës për veprat e paraardhësit të tij. Sipas teorisë, ky është një ligj i natyrës dhe si i tillë duhet të zbatohet pa mëdyshje. Një besim i tillë e bën të pamundur çdo përpjekje për barazi shoqërore. Në profilin e këtij besimi padrejtësia shndërrohet në ligj të natyrës. Qenia njerëzore duhet të vuajë në këtë botë për gabimet e bëra në ciklin parajetësor. Duke gjykuar në këtë mënyrë është e pamundur për këdo që të lehtësojë vuajtjet e njerëzimit. Pra duke qenë kështu, si mund të gjendet ndonjë motiv për të vepruar me parimin e drejtësisë?
Bota e shkencës po ashtu është nën ndikimin e idesë së pabarazisë njerëzore, por për një arsye tjetër, që është, pranimi i përgjithshëm i teorisë së evolucionit. Koncepti i evolucionit biologjik të jetës kërkon të shpjegojë ndryshimet që ekzistojnë midis llojeve, duke ngritur teorinë që gjatë procesit të evolucionit disa kanë avancuar ndërsa të tjerë kanë ngelur pas. Darvini pretendonte se femrat e llojit njerëzor ngelën në një nivel primitiv të procesit evolutiv, ndërsa meshkujt së fundmi arritën një nivel superior ndaj tyre. Sipas të njëjtës logjikë, zezakët e Afrikës, xhuxhët dhe shumë raca të tjera “kanë ngelur mbrapa”. Si pasojë e kësaj teorie, bota e shkencës nuk mund të jetë e dhimbsur ndaj atyre që duket se kanë ngelur mbrapa apo ndaj racave nën evoluim.
Teoria shkon më tej duke theksuar se nëse njerëzit vuajnë nga fatkeqësi të ndryshme, shkaku janë vet ata. Me fjalë të tjera, ata që ndihen inferior nga mënyra se si i trajtojnë të tjerët, në fakt, vuajnë pasojat e mangësive të tyre. Pra ata janë të destinuar të jenë viktima të padrejtësisë, ndërsa ata që i shkelin, s’ka pse të fajësohen.
Me ardhjen e Islamit të gjitha këto ide të bazuara në pabarazi të thellë humbën. Në mënyra të ndryshme dhe me shumë ngulm, Islami i prezantoi botës idenë, që me gjithë ndryshimet e jashtme, të gjithë njerëzit janë të barabartë. Të gjithë kanë status të barabartë shoqëror dhe të drejta të njëjta. Askush nuk është inferior apo superior. Këtu po sjellim dy referime nga Kurani dhe Hadithi respektivisht.
“O ju njerëz, ne ju kemi krijuar nga një mashkull dhe një femër dhe ju ndamë në popuj e fise në mënyrë që të njiheni midis jush, vërtet më i nderuari prej jush tek Allahu, është më i devotshmi ndër ju. Allahu është i ditur dhe i mirinformuar” (Kurani, 49;13)
Sipas këtij verseti kuranor, ngjyrat dhe racat e ndryshme që gjenden tek qeniet njerëzore nuk janë me qëllim diskriminimi por, identifikimi. Njerëzit në themel janë të barabartë, kriteri i vetëm mbi të cilin bëhen dallime midis tyre, është karakteri. Pra superioriteti i një njeriu është në varësi të ndershmërisë së tij. Njeriu më i nderuar është ai që i frikësohet Zotit më së shumti, ai që njeh dhe respekton të drejtat e Zotit dhe të njerëzve.
Gjatë pelegrinazhit të lamtumirës, i hipur mbi devenë e tij, Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbajti predikimin e tij të fundit. Një prej gjërave qe ai tha është shënuar në këto fjalë:
“O njerëz, dëgjoni me vëmendje, Zoti juaj është një i vetëm, nuk ka dyshim për këtë. Paraardhësi juaj është një i vetëm, nuk ka dyshim dhe për këtë. Dëgjojini mirë këto që po ju them; Arabi nuk është aspak superior ndaj jo arabit, dhe jo arabi nuk është aspak superior ndaj Arabit. I ziu nuk është superior ndaj të kafit apo të kuqit, as i kuqi nuk është superior ndaj të ziut. Superioriteti i vetëm qëndron tek devotshmëria. A e kam përcjell mesazhin?- pyeti Profeti. Nga çdo anë njerëzit u përgjigjën -Po! O Allah ji dëshmitar! –tha ai”. Pastaj Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, tha: “Ai që është prezent le t’ia transmetoj atij që nuk është.” (Al-xhami Ahkam al Kuran, 16:342)
Ky deklarim u bë nga Profeti Muhamed në vitin e fundit të jetës së tij, kur e gjithë Arabia ishte nën drejtimin e tij. Si i tillë, ky deklarim nuk vinte vetëm prej një reformatori, por prej sunduesit të kohës. Përkufizimi që ai i dha barazisë shoqërore nuk u dëgjua thjesht si teori por u vu menjëherë në praktikë dhe u forcua në shoqëri.
Në deklarimin e tij, Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë më të, u tregoi njerëzve se ekziston vetëm një Krijues në këtë botë dhe se të gjithë e kanë prejardhjen prej një burri dhe një gruaje, kështu të gjithë njerëzit janë të barabartë, duke qenë vëllezër e motra të njeri tjetrit. Ata mund të ndryshojnë nga njëri tjetri por, në statusin shoqëror dhe të drejtat ligjore janë të barabartë.
Siç ka përcaktuar statusin e qenieve njerëzore, Islami deklaron se nëse dikush i përket njërës klasë shoqërore apo tjetrës, kjo nuk do të thotë se ai është i favorizuar apo i privuar me këtë, kjo përkatësi është thjesht sprovë hyjnore.
Zoti e ka krijuar njeriun në këtë botë për ta testuar atë. Veprat e mira (ose mungesa e tyre) janë instrumentet që Zoti ka përdorur në këtë test. Ato janë si fleta provimi të vendosura përpara nga i Madhëruari. Pasuria dhe varfëria janë të dyja gjendje në të cilat njeriu vihet në provë, prandaj njeriu duhet të largohet nga ndjenja e inferioritetit apo superioritetit në secilin rast, ajo çka ai duhet të preokupohet është se a do ta kalojë provimin apo jo.
Nxitja për barazi
Studimet e fiziologjisë dhe biologjisë moderne mbi racat kanë vërtetuar qartësisht mësimet e Islamit, ndërsa teoritë e tjera janë refuzuar shkencërisht. Biologjia molekulare, gjithashtu, ka hapur një fushë të gjerë studimesh në kohët moderne. Një grup ekspertësh të gjenetikës në ShBA, të bindur se njerëzimi e ka origjinën nga i njëjti paraardhës, kanë kërkuar të gjejnë gjurmë të tijat mijëravjeçare. Në këtë mënyrë, të gjitha ndryshimet në ngjyrë, fizionomi, fizik etj. janë thjesht relative dhe nuk përbëjnë patjetër karakteristika të racave të ndryshme. Të gjitha studimet moderne provojnë se qeniet njerëzore janë pjesëtarë të një familje të madhe dhe të gjithë janë të lidhur nga e njëjta vëllazëri biologjike. (Newsweek, 11, Janar, 1988).
Një numër librash dhe artikujsh janë shkruar kohët e fundit nga J. Comas mbi temën: “Çështja e racës në shkencën moderne” (publikuar nga UNESCO në 1956). Një prej artikujve titullohet “Miti i racës”, i vlefshëm ky për tu studiuar. Me gjithë këto arritje akademike, në praktikë nuk është dukur ndonjë ndryshim i madh. Kombet që e konsiderojnë veten superiorë vazhdojnë të veprojnë nën hijen e keqkuptimeve të njëjta, ndërsa kombet që konsiderohen inferiore janë ende të nënshtruara ndaj padrejtësive, në forma të reja dhe të ndryshme. Arsyeja është se për të arritur një riformim shoqëror, teoria vetëm, nuk mjafton. Përveç saj, një nxitje e fuqishme është thelbësore. Dhe kjo është ekzaktë ajo që ka ofruar Kurani.
Veç urdhërimit për drejtësi, (16:90) Kurani premton shpërblim për veprat që njeriu kryen. Gjithashtu ai na informon se veprat e njeriut regjistrohen plotësisht. Pas vdekjes, çdo njeri do ta gjej veten para gjyqit të Zotit, ku do te marrë atë çka meriton. Asnjë ekzekutor krimesh nuk mund ti shpëtoj dënimit të Zotit. Atëherë njeriu do të vuajë pasojat e veprave të tija.
“Atë ditë njerëzit do të vijnë të ndarë në grupe për t’ju treguar veprat e tyre. Kush ka punuar ndonjë të mirë sa grimca (e atomit) do ta gjejë atë, e kush ka punuar ndonjë të keqe sa grimca (e atomit) do ta gjejë atë” (99; 6-8)
Fakti i llogaritjes i rikujton njeriut domosdoshmërinë e të qenit tepër i përpiktë në sjelljen me të tjerët. Njeriu duke pasur ndërmend se duhet të shpëtojë veten e tij, sheh sa e rëndësishme është të sillesh drejt me të tjerët. Ai eviton gabimet ndaj të tjerëve në mënyrë që të mos marrë dënim nga Zoti. Në mungesë të konceptit të llogaritjes, drejtësia dhe barazia shoqërore shihet si nevojë e të tjerëve dhe jo e jona. Por, nëse kujtojmë se ka llogaritje, barazia shoqërore bëhet nevojë primare për të gjithë, duke përfshirë edhe ne. E kush i neglizhon nevojat e tij?
Koncepti i llogarisë para Zotit për veprat e kryera, e ndalon njeriun jo vetëm nga tirania, por nga çdo gjë e ngjashme me të. Një herë kur Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ishte në shtëpi me gruan e tij, Ummu Selemeh, thirri shërbyesen e tij që të vinte, por ajo po vonohej. Ummu Selemeh, kur pa shenja mërzie në fytyrën e Profetit a.s. doli në dritare dhe pa se shërbyesja ishte duke luajtur. Kur erdhi më vonë, ndodhi që Profeti kishte në dorë një misvak (rrënjë peme që shërben për të pastruar dhëmbët). “Të mos ishte për frikën nga dënimi në ditën e gjykimit, i tha Profeti a.s. shërbyeses, do të kisha shtënë me këtë misvak”
Në kohët antike, rrahja e skllevërve konsiderohej një e drejtë e natyrshme, por mentaliteti i ri i krijuar nga Islami e ndaloi këtë praktikë, sado gabim të kishte skllavi. Kjo, sepse myslimani frikësohet se për këtë akt do të japë llogari para Zotit.
Një ditë Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, kaloi pranë Ebu Mesud el Ensariut, i cili po rrihte skllavin e tij. “O Ebu Mesud, duhet të dish, i tha Profeti a.s. se Allahu ka fuqi mbi ty, më shumë se ke ti mbi këtë skllav”. Ebu Mesudi u frikësua kur dëgjoi këto fjalë të Profetit. O i dërguar i Allahut, tha ai, unë po e lë të lirë këtë skllav për hir të Allahut...
Ky rast tregon se Islami, duke lënë mënjanë ndryshimet e jashtme, i vendos njerëzit në të njëjtin pozicion. Ebu Mesudi, në fillim e konsideronte veten në një pozitë krejt tjetër nga ajo e skllavit të tij, duke parë vetëm aspektin material, ai ishte i respektuar dhe me pushtet, ndërsa skllavi i dobët dhe i ulët. Por kur Profeti a.s. i kujtoi se në sytë e Zotit, ai ishte në të njëjtën pozitë me skllavin e tij, ai e përuli veten.
Diferencimi i njerëzve në bazë të të ardhurave materiale që ata kanë, detyrimisht sjell pabarazi në shoqëri. Nëse këto diferencime do të zhduken atëherë pabarazia shoqërore do të zhduket.
Nuk mund të mohohet, se të gjitha shtypjet dhe padrejtësitë shoqërore janë shkak i pabarazisë midis njeriut dhe njeriut. Disa janë të fuqishëm, të tjerët të dobët, disa janë të pasur e të tjerët të varfër. Ajo që ndodh është se të pasurit dhe të fuqishmit e konsiderojnë veten superior ndaj të varfërve dhe të dobëtëve dhe mendojnë se ata mund ti shtypin të tjerët pa marrë ndonjë ndëshkim për këtë, për arsyen se pozicioni i tyre i lartë i mbron ata nga ndonjë orvatje për shpagim.
Islami na tregon se fati i çdo njeriu është në dorë të Zotit dhe se përfundimisht të gjitha çështjet morale do të gjykohen në gjyqin hyjnor. Zoti, që posedon superfuqinë absolute, do ti gjykojë njerëzit të gjithë me drejtësi absolute. Atë ditë asnjë krijesë nuk mund ti shpëtoj gjykimit të Zotit.
Në këtë mënyre, veprat e njerëzve nuk i nënshtrohen gjykimit të njeriut, por gjykimit të Zotit. Ato janë çështje që qëndrojnë midis njeriut dhe Zotit, në njërën anë qëndron Zoti dhe në tjetrën gjithë njerëzimi.
Në përballje me Zotin askush nuk ndihet i fortë. Të gjithë ndjehen në të njëjtën gjendje përuljeje dhe dobësie, në të cilën mund të supozonin se ishin të tjerët.
Nëse një njeri është i vetëdijshëm për këtë, ai asnjëherë nuk do ti bëjë padrejtësi ndokujt, sido që të jenë rrethanat. Kjo padyshim është një nxitje e fortë për barazi dhe drejtësi shoqërore.
Në një shoqëri ateiste, ku njerëzit nuk besojnë në Zot, një zgjidhje e tillë nuk është e mundur. Ku nuk ekziston besimi në Zot, çështjet e njerëzve shtrohen para njeriut. Në këtë mënyrë nuk mund të sigurohet një barazi për të gjithë, dallimet midis njerëzve do të jenë shumë të qarta. Në mungesë të një superfuqie hyjnore këto dallime nuk mund të shuhen kurrë. Pasojat e tyre mund të eliminohen vetëm duke i lënë çështjet midis Zotit dhe njeriut dhe jo midis njeriut dhe njeriut. Kështu çdokush do të ketë bindjen se është Zoti mbi të gjithë, se të gjitha çështjet përfundimisht shtrohen para Tij dhe se askush nuk mund të kthej vendimin e Tij.
Ekzistojnë fe të tjera veç Islamit që përmbajnë konceptin e Zotit, por ndërhyrja e njeriut në shkrimet e tyre të shenjta, ka bërë që kuptimi i veçantë rreth Zotit të jetë jo efikas në çështje praktike.
Për shembull, në Krishterim, biri i Zotit i ka larë mëkatet e gjithë njerëzimit me kryqëzimin e tij. Në Ebraizëm, shpëtimi është i para garantuar për pjesëtarët e kësaj feje si një e drejtë e lindur. Në Hinduizëm, konceptimi i Zotit nuk shërben për çështje praktike.
Në monoteizmin islam, Zoti është një qenie e ndarë nga çdo gjë, dhe gjithë qeniet njerëzore janë krijesat dhe robërit e Tij. Një besim i tillë krijon tek njeriu ndjenjën e i përulësisë.
Ndryshe nga konceptimi Hindu rreth Zotit, në Islam Zoti është i plotfuqishmi i vetëm, njeriu nuk bën pjesë në atë hyjni. Në Hinduizëm, njeriu është pjesë e Zotit, koncept ky që krijon ndjenjën e të qenit superior. Monoteizmi islam ndërgjegjëson njeriun se ai është rob i Zotit, ndërsa Hinduizmi shtyn njeriun të mendoj se ai është Zoti. Gjersa i pari mbjell tek njeriu ndjenjën e përulësisë, i dyti e ushqen atë me ndjenjën e kryelartësisë. Kur pjesëtarët e një shoqërie janë përfshirë nga vesi i kryelartësisë, është krejt e pa mundur të krijohet një atmosferë barazie shoqërore.
Dështimi i institucioneve moderne
Amnesty International, organizatë e njohur si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, vendosi zyrat e saj qendrore në Londër 30 vjet më parë (tashmë 44 vjet. Sh.p.) Tridhjetë vjet janë mjaft për një organizatë të tillë për të funksionuar, por gjatë gjithë kësaj kohe ajo nuk ka arritur ti shërbejë njerëzimit me gjë tjetër përveç publikimit të raporteve në gazeta.
Është kuptimplotë fakti se me mbushjen e 30 vjetëve të krijimit të organizatës, në 10 dhjetor 1991, drejtuesit e saj nuk e panë të arsyeshme ta festonin përvjetorin. I pyetur pse kështu, njeri nga përfaqësuesit e organizatës, zoti Frans Shinto, u përgjigj se në të vërtet nuk ka asgjë për të festuar.
Çdo vit, me 30 dhjetor, Kombet e Bashkuara festojnë ditën e të drejtave të njeriut. Në raportin e publikuar këtë vit nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Zhavier Peres De Kyje, me keqardhje theksohej përdorimi i verbër i forcës dhe trajtimet barbare që pësojnë shumë njerëz në botë, me gjithë deklaratën e të drejtave të njeriut, që është shpallur nën mbikëqyrjen e OKB-së.
Cila është arsyeja pse këto institucione kanë dështuar të vendosin paqe dhe drejtësi? Kjo mund të shpjegohet me faktin se paqja dhe drejtësia nuk vendosen vetëm duke bërë apele dhe duke publikuar raporte nëpër gazeta. Ajo që nevojitet, është një ideologji që mbron vlerat e vërteta të njerëzimit, e cila do të jetë baza e duhur për një revolucion intelektual. Njerëzit e formuar mbi këtë bazë janë atë që do mund të bëjnë reforma në institucionet sociale, e kur drejtimi i shtetit të jetë në duart e tyre, ata do sigurojnë paqe dhe drejtësi në shoqëri, mbi baza kushtetuese.
Vetëm një herë gjatë historisë të gjitha këto kritere janë takuar plotësisht. Ky është rasti i Profetit Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Allahu t qoftë mbi të, dhe Sahabeve (Njerëzit që jetuan në kohën e tij, e besuan atë, dhe e takuan për së afërmi) të tij kur arritën të vendosin një sistem të bazuar plotësisht mbi drejtësi dhe paqe.
Askush para tij dhe as pas tij nuk ka arritur të ketë një sukses kaq madhështor.
Shembull i gjallë
Kontributi i tretë i Islamit në vendosjen e barazisë shoqërore është shembulli që ai vet ofroi, duke i dhënë të njëjtin nderim dhe respekt të gjitha qenieve njerëzore, qofshin ata të fortë apo të dobët, mbretër apo njerëz të thjesht, qoftë në rrethin familjar apo në jetën shoqërore, në postet me rëndësi apo në pushtet, askush prej tyre nuk mund ti shpëtoj ndëshkimit për gabimet e tij.
Historia e Islamit është përplot me shembuj që tregojnë drejtësinë për të gjithë. Këtu po përmendim shkurtimisht disa;
1. Në kohët e vjetra ishte e pa imagjinueshme që një vajzë me prejardhje nga një familje e nderuar, madje që çdo person i lirë, të martohej me një skllav. Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, duke dashur ti jap fund kësaj tradite, lidhi në martesë kushërirën e tij të parë, Zejneb bint Xhahsh, që ishte prej Benu Hashimëve, klani me i nderuar prej fisit Kurejsh me Zejd bin Harithe, një skllav me ngjyrë. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme ishte një shembull shumë i rëndësishëm për barazinë islame.
2. Qabeja, vendi më i shenjtë i adhurimit, konsiderohej e tillë në të gjitha pjesët e saj, kështu personi që ngjitej ne çatinë e saj për të bërë thirrjen për lutjet, duhej të ishte prej një shtrese të lartë. Asnjëherë nuk tolerohej që një person nga shtresat e ulëta të kryente këtë detyre fetare. Pas marrjes së Mekës, Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, e theu këtë tradite duke kërkuar që një skllav i zi, Bilal ibën Rebbah, të ngjitej mbi Qabe për të bërë thirrjen për faljen (Ezanin).
Ky është një rast unik, jo vetëm në historinë e arabëve, por në historinë e botës së asaj kohe. Nëse Islami nuk do të kishte zënë vend në atë shoqëri, njerëzit me siguri do ta kishin vrarë Bilalin për “arrogancën” e tij. Megjithatë pati reagime të ashpra ndaj këtij akti, çfarë tregon sa tronditëse ishte kjo ngjarje për ta. P.sh. Utbah ibën Usejd, nga Meka, falënderoj Zotin që i ati i tij nuk ishte më, dhe nuk pa atë pamje tmerruese. Harith ibn Hisham pyeti; “A nuk gjeti ndonjë njeri tjetër Muhamedi, veç këtij skllavi të zi?”. (Al-xhamiu li Ahkamil Kur’an, 16/341.)
3. Ali ibn Ebu Talib, Kalifi i katërt, humbi parzmoren e tij. Një ditë ai pa në treg një kristian nga Kufa që kishte nxjerr në shitje të njëjtën parzmore. Kjo u denoncua tek gjykatësi i kohës, Shurejh bin al Harith. Aliu u paraqit në gjyq si një njeri i zakonshëm, ku ju kërkua prej gjykatësit të sillte dy dëshmitarë. Aliu solli djalin e tij, Hasanin dhe robin e tij, Kamber. Gjykatësi nuk e pranoi dëshminë e djalit, duke qenë se dëshmia e djalit në mbështetje të atit, nuk pranohet. Kështu Kalifi, sundimtari i kohës, e humbi çështjen. Megjithatë, i krishteri mbeti shume i impresionuar kur pa këtë akt drejtësie midis mbretit dhe një njeriu të thjesht në gjyqin islam, prandaj pranoi se Aliu kishte të drejtë, parzmorja i takonte atij. (Ezminetu e-Sahabeh, fq. 32-33)
4. Gjatë kohës se Kalifit të dytë, Omer ibën Hatabit, Amr ibën el-As, që ishte guvernatori i tij në Egjipt, organizoi një garë kuajsh ku mori pjesë dhe djali i tij, i cili e humbi garën që bëri me një të ri kopt (të krishterët e egjyptit). Prej mërzisë së humbjes, djali i guvernatorit, e goditi me kamxhik rivalin e tij duke i thënë; “le të jetë mësim kjo, që të mos kalosh më djalin e një fisniku”. Kopti, për këtë shkoi të ankohej tek Kalifi në Medineh, i cili e morri vet përsipër të bëj një verifikim. Kur vërtetoi se kopti ishte goditur me pa të drejtë, Omeri dërgoi menjëherë emisar në Egjipt dhe e urdhëroi Amrin bashkë me djalin e tij të paraqiteshin tek ai urgjentisht. Kur mbërritën, Omeri i dha koptit një kamxhik dhe i tha ti qëlloj po aq sa ishte qëlluar. Në prezence të guvernatorit, kopti filloi ta godasë djalin e tij derisa u kënaq se ndëshkimi i ashpër qe realizuar. Më pas Kalifi iu drejtua guvernatorit me fjalët; “O Amr, që kur i keni kthyer në robër, njerëzit e lindur të lirë?”. (Ezmetu e-Sahabeh, fq. 40-41)
5. Palestina u morr gjatë kalifatit të Omer ibn Hatabit. Për të bërë disa marrëveshje me drejtuesit e qytetit, Omerit iu desh të udhëtonte vet drejt Palestinës. Kur u nis nga Medina, Omeri kishte veshur rroba të thjeshta dhe kishte me vete shërbyesin e tij dhe një deve. Nëse do të hipi unë në deve dhe ti do ecësh në këmbë -i tha Omeri shërbyesit të tij- nuk është e drejtë për ty. E nëse i hipën ti, e unë eci në këmbë, kjo s’është e drejt për mua. Ndërsa po ti hipim të dy devesë, kjo është e pa drejtë për të, prandaj më e mira është që të tre të ndërrohemi më radhë.
Kështu duke u ndërruar me radhë, kur Omeri i hipte devesë, shërbyesi ecte në këmbë, pastaj shërbyesi i hipte devesë dhe Omeri ecte, pastaj të dy ecnin në këmbë që të çlodhej deveja.
Dukë udhëtuar në këtë mënyrë, ata arritën tek portat e Palestinës, banorët e së cilës u habitën kur panë Kalifin duke ecur në këmbë dhe shërbyesin e tij hipur mbi deve, pasi qëlloi radha e tij për të ecur në këmbë. Në fakt, shumë prej palestinezëve, nuk arritën të bëjnë dallimin se kush është Kalifi e kush shërbyesi. (Taamir ki Taraf, fq. 56-57)
Nëpërmjet revolucionit intelektual dhe shembujve praktik që vendosi, Islami krijoi një histori që pati ndikim në pothuajse gjithë botën e njohur të asaj kohe. Ky revolucion ishte aq i fuqishëm, sa ndjehet akoma edhe pas njëmijë e katërqind vjetëve.
Pas Profetit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, periudha e Sahabëve dhe Tabiinëve (gjenerata pas sahabëve) njihet si koha e artë e Islamit. Por, efektet e revolucionit islam zgjaten më tej kësaj periudhe, duke lënë gjurmët e tyre në shoqërinë njerëzore në forma të ndryshme përgjatë shekujve.
Edhe mbretërit mysliman madje, nuk kanë guxuar ta sfidojnë ligjin islam. Mund të citohen shumë raste të nënshtrimit të tyre ndaj tij. Një ndodhi lidhur me Xhehangirin, perandorin mugal, është përshkruar me shumë saktësi nga Meulana Shibli Nomani, në formën e një poeme, titulluar; “Adl e Xhehangiri”.
Mbretëresha e Xhehangirit, Nur Xhehan, vrau pa dashje një njeri të varfër. Kjo ndodhi gjatë një gjuetie ku një rrobalarës që doli befas në drejtimin e zjarrit, u plagos nga ajo për vdekje. Kur ai vdiq, çështja u denoncua tek Kadiu (gjykatësi i kohës), i cili dha dënimin me vdekje për mbretëreshën. Si mbreti ashtu dhe mbretëresha nuk guxuan të kundërshtojnë vendimin e gjykatësit. Përfundimisht, çështja u zgjidh kur gruaja e rrobalarësit që vdiq, deklaroi se pranonte të merrte shpagimin e gjakut, siç parashikohet nga ligji Islam. (Nëse njeriu më i afërt i viktimës, nuk pranon të marri shpagimin e gjakut, fajtori dënohet me vdekje, i vrari me të vrarë.)
Tani po marrim një shembull tjetër drejtuesish, që në thelb është e kundërta e të parit.
Sundimtari anglez, Xhejmsi I (1566-1625), bashkëkohës i sundimtarit indian, Xhehangir (1569-1627), pretendonte se ai qëndronte mbi ligjin dhe se mund ta ekzekutonte atë i pavarur. Kryegjykatësi anglez i asaj kohe, Eduard Kuk (1552-1634), e kundërshtoi atë në këtë çështje. Kështu kur Xhon Bit, tregtar anglez, nuk pranoi të paguante taks për stafidhet e importuara (urdhër personal ky i Xhejmsit I), pasi një ligj i tillë nuk kishte kaluar në parlament, kryegjykatësi mbështeti tregtarin. I inatosur, mbreti bërtiti; “A jam unë subjekt i ligjit!? Të thuash këtë është tradhti”. Gjykatësi Kuk nuk luajti nga qëndrimi i tij, për këtë mbreti e shkarkoi nga detyra. Është i shënuar në histori fakti që kundërshtimi ligjor ndaj mbretit bëri që karriera e tij si gjykatës të marrë fund përgjithmonë.
Kur çështja e mbretit dhe gjykatësit Kuk arriti tek Këshilli i Lartë britanik, ministri i drejtësisë së asaj kohe, Francis Beikon, në përkrahje të supermacisë së mbretit, tha: “Gjykatësit duhet të jenë luanë, por gjithmonë luanë nën fron”.
Në bazë të traditës ligjore te asaj kohe ne Britani, ekzistonin dy lloj ligjesh; ligji i përgjithshëm (Common law) dhe ligji i veçantë. Për popullin kishte një lloj ligji, ndërsa për mbretin dhe fisnikët një lloj krejt tjetër. Mbreti qëndronte mbi ligjin, në të vërtet, fjala e tij ishte ligj.
Kështu ishte deri me ardhjen e Islamit, i cili eliminoi këtë ndarje dhe vendosi një ligj për të gjithë. Parim i mbretërve atëherë u bë respektimi dhe nderimi i ligjit të vendit.

 

Ndikimi në histori

Pak para vdekjes, gjatë pelegrinazhit të tij të fundit, Profeti i Islamit mbajti një predikim, që kujtohet si predikimi lamtumirës. Një nga deklarimet historike të atij predikimi ishte edhe kjo frazë; “Çdo gjë që i përket paganizmit, tani është nën këmbët e mia”. Me këto fjalë Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, lajmëroi fillimin e një ere të re, një erë që ai vetë e çliroi nga besëtytnitë, më ndihmën e veçantë të Zotit.
Ky ndryshim historik nisi nga vetë Arabia, më pas ai u përhap jashtë kufijve të saj dhe së fundi u ndje në gjithë botën. Rezultat i tij ishte zhdukja e ndarjes së shoqërisë në njerëz të lirë dhe skllevër dhe fillimi i parimit të ligjit në gjithë botën. Ai gjithashtu, bëri që filozofitë që mbillnin padrejtësi dhe pabarazi shoqërore të humbnin influencën e tyre. Tani asnjë filozofi e bazuar në pabarazinë njerëzorë nuk gjen vend ku të lulëzojë.
Një shembull i tillë në kohën moderne ishte Hitleri, sipas të cilit raca gjermane ishte superiore ndaj të gjitha të tjerave. I brumosur me këtë bindje, ai zhvilloi idenë se ishte e drejta e tyre e lindur që të vendosnin supermacinë ndaj kombeve të tjerë. Ai e konsideronte pabarazinë midis racave dhe individëve si pjesë e pandryshueshme e ligjit të natyrës, dhe racën ariane si elementin e vetëm krijues të njerëzimit.
Por, çfarë e priti Hitlerin! Popullariteti i tij në Evropë ra shumë shpejt dhe së fundi atë e braktisën edhe militantët e tij më të afërt, në vendin e tij. Në një dështim të plotë ai kreu vetëvrasje në një bunker në Berlin, duke asgjësuar bashkë me të dhe lëvizjen naziste që vetë vuri në veprim.
Influenca e revolucionit social që solli Profeti Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, është ende e gjallë në gjithë botën. Për sa i përket çështjes së barazisë shoqërore, studiuesit kanë kuptuar se i vetmi sistem që mund të arrinte këtë përfundim ishte Islami. Për këtë, më lartë cituam fjalën e Suami Vivekanad.
Pyetja që ngrihet këtu është se si Islami arriti të ketë sukses dhe fetë apo sistemet e tjera nuk ia kanë dalë mbanë. Ka dy arsye kryesorë për këtë. Njëra është se Islami ofron një ideologji të plotë dhe perfekte në favor të barazisë njerëzore, dhe tjetra, se ai i jep njerëzimit një shembull historik, ku ajo ideologji është vënë në praktikë.
Këto janë pikat ku fetë e tjera kanë dështuar. Për ta bërë këtë të qartë, po jap dy shembuj nga Krishterimi dhe Hinduizmi.
Hinduizimi, siç është thënë dhe më sipër, ka në bazë të besimit të tij, ndarjen e njerëzve ne dy grupe, ku njeri ka një pozitë të lartë dhe tjetri të ulët. Ekzistenca e këtij besimi, bën të pamundur një trajtim të barabartë për të dy grupet. Ata që jetojnë më këtë sistem, kurrë nuk do pranojnë ta konsiderojnë veten të barabartë më ata që i shohin si të lindur inferior ndaj tyre.
Këtu është me vend të përmendim, krijimin e komisionit për klasat e prapambetura, nga presidenti i Indisë në 1953, me kryetar të tij, Kaka Sahab Kalelker.
Pas një studimi që përfundoi në 1955, komisioni paraqiti një raport me 262 faqe, i cili u botua në shtypin shtetëror.
Raporti (gjendet në Delhi Public Library, Delhi) theksonte se sistemi i kastave që gjendet ne Indi ka një natyrë komplet ndryshe nga sistemi i klasave që është i përhapur kudo. (Kasta është një grup i vogël dhe i mbyllur shoqëror, me njerëz që kanë lidhje gjaku a profesioni, interesa të njëjta klasore dhe të drejta të veçanta (ne Hindi dhe disa vende të tjera të lindjes)
Në Indi, kjo nuk është diçka që ndodh vetëm për shkaqe ekonomike, siç ndodh përgjithësisht në vendet e tjera. Rrënjët e tij, përkundër, janë më të thella, duke qenë të kultivuara në sistemin e besimit. Sipas raportit; “Është një veçanti e Indisë që njeh diferencat sociale që ekzistojnë në natyrën njerëzore dhe u jep atyre një formë institucionale dhe mistike me formim fetar dhe shpirtëror”.
Ajo që deklaroi komisioni i Kalelkerit, është e vërtetuar nga faktet. Nuk ka dyshim se dallimet sociale në Indi janë bërë në bazë të ndryshimeve që ekzistojnë në natyrën njerëzore. Në një shoqëri ku koncepte të tilla janë të pashmangshme, iniciativat për të zhdukur këto dallime apo për të vendosur barazi për të gjithë, nuk mund të kenë sukses.
Një pengesë e ngjashme për barazinë gjendet madje në Krishterim.
Këtu dëshiroj ti referohem një raporti të përgatitur nga një grup i përbërë prej pesë gazetarësh të krishterë dhe publikuar në Sunday Review (Times of India), 22 dhjetor, 1991. Sipas këtij raporti, numri i të konvertuarve në Krishterim prej kastave të ulëta (të njohur si të krishterë dalit), i kalon 5%. Pas kalimit në Krishterim, përsëri këta të ardhur nga shtresat e ulëta hindu, janë të diskriminuar nga kisha.
Të krishterët dalit e kanë të ndaluar ti varrosin të vdekurit e tyre në varrezat e të krishterëve të kastave më të larta. Ata nuk mund të kenë lidhje martesore me të krishterë të kastave më të larta. Në shumë kisha kanë vendet e tyre të ndara nga të tjerët. Diskriminimi ndaj tyre vihet re edhe në institucionet arsimore të drejtuara nga vet të krishterë. Paragjykimi i kastave arrin deri tek kleri, kjo është veçanërisht e vërtetë për kishën katolike, priftërinjtë e së cilës tashmë të gjithë zgjidhen nga kastat e larta ose të mesme. Në Kerala, ku Krishterimi ka lulëzuar që prej 2000 vjetësh, kastat janë të qarta në nivelin shoqëror. Faktori kastë shfaqet here pas here, duke shkaktuar dhimbje tek pjesëtarët e komuniteteve të krishtera dalit.
Kur dr. Kazimir Ganadikan, peshkop katolik i Madras u pyet rreth kësaj, ai pranoi se një sistem i fortë kaste ekzistonte tek kisha. “E pranoj, ky ka qenë një hap prapa, por ndonjë herë forca e besimit nuk e mposht dot realitetin”.
Është e vërtet se Krishterimi nuk mëson për pabarazi njerëzore apo padrejtësi sociale, por ajo që i mungon Krishterimit është një shembull i fuqishëm historik i barazisë njerëzore. Misioni i Krishtit nuk shkoi përtej thirrjes në besim, ai nuk e arriti gradën e revolucionit praktik, dhe kështu, në fazën e parë të Krishterimit nuk mund të jepej një shembull i barazisë njerëzore. Në mungesë të shembujve të qartë, besimi vetëm nuk mund të sjellë ndonjë ndryshim praktik.
Sistemi islam është komplet ndryshe nga çdo sistem tjetër. Në të gjendet një ideologji e plotë në favor të barazisë njerëzore, ndërsa përkrah saj gjendet një shembull praktik perfekt. Në të dy pikat, në periudhën e parë të Islamit u vendos rrjedha e historisë islame përjetësisht. E historia islame do të vazhdojë përgjithmonë në të njëjtin drejtim, prandaj nuk ekziston ndonjë fuqi e mjaftueshme në botë, që të ndryshoj rrjedhën e saj.


Autorë: Meulana Uahiduddin Khan

Teksti i fjalimit “Barazia shoqërore në Islam” i mbajtur në një takim intelektualësh mbajtur në Kolegjin e Drejtësisë, në Ranchi (Indi), më 14 dhjetor 1991, nën drejtimin e gjykatësit Satishuor Rao.

Burimi: albislam.com

 
 

 
 
   

 

       

Hyrja ¦ Libri i vizitorėve ¦ Rreth Faqes ¦ Stafi ¦ Kontakt

Tė drejtat e rezervuara. Lejohet kopjimi dhe shperndarja nėse vihet nė dukje burimi i tyre.

©2005-2007 Ekonomia-islame.com