Header image  
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit  
line decor
   Deutsch / English
line decor
 
 
 
 

 
 

Shpenzimet administrative për kredi dhe baza e saj në legjislacionin islam

 

Amir B. Ahmeti

Nga vetë titulli i temës kuptohet se jemi duke bërë fjalë për dy çështje nga fusha e ekonomisë. Në fakt kjo temë bëhet edhe më e rëndësishme kur këto dy çështje po i shtroj nga këndvështrimi islam, ngase, fatkeqësisht në gjuhën shqipe kemi shumë pak shkrime nga fusha e ekonomisë islame edhe pse libra e studime të kësaj fushe në gjuhët tjera e sidomos nga gjuha arabe nuk janë të pakta e madje edhe nga dijetar të vjetër si Ebu Jusufi, Ibnu-l-Kajjimi etj.
Kështu si çështje të parë në këtë temë kemi KREDINË e cila parimisht është e lejuar në islam.
Me kredi nënkuptojmë një shumë të hollash të cilat i merrë ose i jep një person (ose institucion) për ndonjë nevojë apo qëllim të caktuar, duke i shlyer ato kredimarrësi me rata (këste) për një periudhë kohore të caktuar dhe miratuar nga kredidhënësi dhe kredimarrësi.
Kredia mundet me qenë për biznes, rindërtim apo nevoja tjera personale ku zakonisht, e sidomos sot në kohët moderne, kredi japin bankat ose institucionet mikrofinanciare ndërkohë kreditë mes individëve sot janë më të pakta.*
Çështje tjetër të kësaj teme kemi edhe shpenzimet administrative që i aplikon banka për kredimarrësit të cilat njihen si mjete shpenzuese të bankës gjatë procedurës së dhënies së kredisë.
Ndërsa bankat dhe institucionet tjera mikrofinanciare përveç shpenzimeve administrative aplikojnë edhe kamatën mbi shumën e kredisë së dhënë klientit. Kjo shumë, në islam, konsiderohet haram – e ndaluar. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu e ka lejuar shitblerjen (tregtinë) dhe ka ndaluar kamatën” (Kur’an: 2/ 275).
Ky ajet kuranor na jep normën juridike për dy fusha të ekonomisë. E para: Lejimi i fitimit nga tregtia (shitblerja) dhe e dyta: Ndalimi i fitimit nga kamata.
Meqë tema jonë ka të bëjë me kreditë ose sistemin bankar të huazimeve (kredive) do të ndalemi vetëm te pjesa e dytë e ajetit kuranor, pra rreth kamatës.
Kamata (Riba) rrjedh nga fjala “Jerbu” që do të thotë shtim dhe rritje. Ndërkohë që çdo shtim ose rritje mbi vlerën reale të shumës së huazuar konsiderohet haram, ashtu siç argumentuam me ajetin kuranor më lartë.
Ndërsa në terminologjinë e jurisprudencës islame, juristët islamë, e kanë definuar si: Shtesë pasurore e kushtëzuar në marrëveshje pa kompensim, gjatë këmbimit të një pasurie me një tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse pendoheni atëherë juve ju përket vetëm kapitali juaj.” (Kur’an: 2/279).
Kamata sot aplikohet në mënyra të ndryshme por ajo më e njohura është gjatë huazimeve direkte, në shtimin e vlerës mbi vlerën e huazuar.
Ky lloj huazimi ose kjo kredi është e njohur gati gjatë gjithë historisë njerëzore. Edhe në periudhën parakuranore në Mekke (në gadishullin arabik) kredia ishte e njohur dhe ajo ishte me kushte shumë të disfavorshme për kredimarrësit ngase kredidhënësit aplikonin kamata me përqindje shumë të madhe. Kështu Kur’ani erdhi dhe e ndaloi këtë dukuri duke e konsideruar kamatën haram – të ndaluar dhe element shkatërrues të shoqërisë islame.
Kur përmendëm në fillim të këtij punimi se kredia është e lejuar, kemi parasyshë hadithe të shumta të cilat tregojnë për kredimarrje mes sahabëve të Pejgamberit a.s. Në Sahihun e Imam Buhariut kemi kapitullin “Kitabun Fi-l-Istikraad… - Libri mbi Kredimarrjen (kredidhënien)” ku më së paku gjenden rreth 25 hadithe që flasin për kredinë, mënyrën e huazimeve të sahabëve dhe vërejtjeve që i ka bërë i Dërguari i Allahut në marrjen dhe kthimin e kredive.
Edhe Imam Maliku në librin e tij “El-Muvetta’” çështjes së kredive ia ka kushtuar plotë një kapitull me titullin “Kitabu-l-Kirad” – Libri (Pjesa) e Kredive.
E tëra çka kuptohet prej haditheve nga jeta tregtare e sahabëve gjejmë se çdo hua (kredi) që merret (p.sh. për biznes) dhe në fund i kthehet kredija pronarit të kapitalit (në këtë rast kredidhënësit) pa asnjë përqindje të kamatës është e lejuar. Kjo metodë e kredimarrjes është bërë mes individëve dhe në mënyra të ndryshme, si pa kurrfarë fitimi për pronarin e kapitalit ose me fitim për pronarin e kapitali nga përqindja e fitimit të përgjithshëm neto.
Bankat dhe institucionet mikrofinanciare sot aplikojnë taksë me përqindje mbi vlerën e kapitalit të kredisë të cilën e merrë kredimarrësi, e kjo do të thotë kamatë. Këtë bankat e bëjnë për fitime të veta personale, pastaj për të mbuluar pagat e punëtorëve e shpenzime tjera të bankës. Sipas ekonomistëve, vetë bankat nuk mund të ngrihen pa sistemin e ndjekur të kamatës. Ngase kamata sjellë fitime të mëdha për bankat.
Ndërsa në islam, çfarëdo lloj takse me përqindje mbi vlerën e kapitalit konsiderohet e ndaluar. Arsyet e kësaj janë të shumta, e para e kësaj është se bankat pasurohen e qytetari ngarkohet me të gjitha këto fitime të bankës dhe në fund mbetet i falimentuar ose i varur prej bankës gjatë tërë jetës së tij.
Për të zgjidhur sistemin e kredimarrjes nga bankat sipas të drejtës islame, kredimarrësi nuk do të paguaj përqindje mbi shumën e marrë nga banka por vetëm shpenzimet reale të shpenzuara gjatë procedurës së kredimarrjes duke filluar nga aplikimi për kredi e deri te përfundimi kredisë.
Lidhur me këtë çështje profesori i nderuar Abdu-l-Muiz Hrejz nga Universiteti i Jordanit më është përgjigjur: Çdo përqindje që paguan kredimarrësi për të mbuluar shpenzimet e bankës ose të institucionit mikrofinanciar është e ndaluar dhe është mendim i të gjithë juristëve islam. Por kjo mund të realizohet duke llogaritur shpenzimet reale të bankës ose institucionit mikrofinanciar gjatë distribuimit të kredive. Në këto shpenzime mund të hyjnë të gjitha shpenzimet reale si pagat e punëtorëve, qiraja e objektit, veturat, nafta, letrat e shpenzuara etj. Pra që kredimarrësi të paguaj një taksë si shpenzim administrativ në llogari të bankës, duke mos e bazuar atë shpenzim me përqindje, por në shpenzimet reale që ka bërë banka për ta ndarë atë kredi konsiderohet si procedurë e lejuar në islam. Përndryshe çdo procedurë e bazuar në përqindje konsiderohet e ndaluar, ngase çdo përqindje çon në kamatë, e çdo kamatë është haram.
Njëherit përqindja nuk duhet llogaritur as në bazë të shumës së kredisë siç veprojnë sot bankat të cilat aplikojnë kamatën, por gjithherë në bazë të shpenzimeve reale të bankës ose institucionit mikrofinanciar.

Literatura:
- Kur’an-i, Përkthim me komentim në gjuhën shqipe, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti.
- Umdetu-l-kaari Sherh Sahihu-l-Buhari, Nga Shejhu-l-Imam Bedrud-din El-Ajni, botimi i parë, Daru-l-Fikër, Bejrut-Liban, 1998.
- El-Muvatta’, Imam Malik bin Enes, botimi i parë, Ihjau-tt-urathi-l-Islami, Kuvait, 1998.
- Kamata lufta me Allahun, Shejh Muhammed bin Uthejmin, Ahmed Salusi, Jehona, Gusht – 2004.

________________
Fusnota:

1. Edhe pse te ne por edhe në vende tjera njihen kredi private mes individëve të cilat janë të paligjshme nga të dy anët, edhe nga ajo islame e edhe nga ajo ligjore. Ku njerëzit të cilët nuk mund të tërhjekin kredi për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara nga bankat dhe institucionet mikrofinanciare (e të gjitha këto institucione që veprojnë sot në Kosovë punojnë me përqindje interesi-kamatë, përveç institucionit mikrofinanciar START me qendër në Drenas e cila ka donacion nga Islamic Relief prej Britanisë së Madhe dhe jep kredi pa kamatë, përveç shpenzimeve administrative që i paguan kredimarrësi) dhe nga nevoja e madhe për një shumë të hollash ata marrin kredi shumë të disfavorshme nga individ të caktuar. Kjo bënë që shumë herë rastet e tilla të përfundojnë me dhunë e ndoshta edhe me vrasje.

burimi: DituriaIslame


 

 
 
   

 

       

Hyrja ¦ Libri i vizitorėve ¦ Rreth Faqes ¦ Stafi ¦ Kontakt

Tė drejtat e rezervuara. Lejohet kopjimi dhe shperndarja nėse vihet nė dukje burimi i tyre.

©2005-2007 Ekonomia-islame.com