Islam Hasani
Feja islame i rregullon të gjitha aspektet e jetës njerëzore, përfshirë edhe sjelljet në biznes. Shumë ajete kuranore inkurajojnë tregtinë dhe qëndrimi i Islamit është që të bëhet një biznes i ndershëm dhe i lejuar në aspektin e Sheriatit. Çdo sistem duhet të përshtatet me filozofinë dhe ligjet e jetës së popullit në mënyrë që të jetë i suksesshëm. Ne duhet t’i kthehemi filozofisë dhe etikës sonë që bazohet në Kur’an dhe Synet dhe që është shumë e qartë.
Duke i bërë një analizë shoqërisë njerëzore në aspektin islam, mund të vijmë në përfundimin se ekzistojnë përgjigjje islame për problemet ekonomiko-shoqërore që po konfrontojnë shoqërinë islame. Kur’ani është një dituri e zbritur nga Allahu, dhe është i përshtatshëm për mbarë njerëzinë e për të gjitha kohët. Ligjet e tij në lidhje me ekonominë shërbejnë si bazë fundamentale, pa të cilen ekonomia islame nuk mund të evaluohet. Kur’ani dhe Syneti nuk na japin ndonjë model ekonomik siç kuptohet në ditët e sotme, mirëpo këto dy burime kryesore të sheriatit përmbajnë parime e rregulla që u hapin rrugën dijetarëve dhe ekonomistëve islamë, që t’u gjejnë zgjidhje nevojave të popullit në aspekte të ndryshme. Një prej nevojave të kohes është edhe zgjidhja e problemit të bankimit, në mënyrë që të largohemi sa më shumë nga gjërat e ndaluara.
Bankimi konvencional që zotëron në botën moderne në ditët e sotme, është i zhvilluar mirë dhe shumë i sofistikuar dhe zhvillimi i këtij sistemi edhe më tutje vazhdon. Ekziston një numër i madh i institucioneve që bëj-në hulumtime në mënyrë që ta bëjnë sa më të sofistikuar dhe më të përparuar sistemin e bankimit konvencional. Që para tri apo katër dekadave disa universitete dhe institucione hulumtimi janë duke u marrë me hulumtime në fushën e Ekonomisë Islame në përgjithësi, e në veçanti të sistemit bankar islam. Prandaj shtrohet pyetja: A është e domosdoshme të kemi një sistem që funksionon mbi parime islame kur sistemi konvencional është i pranishëm dhe i sofistikuar?
Për ta kuptuar më mirë nevojën e bankave të cilat funksionojnë mbi parime islame, duhet të fillojmë me pyetjen çfarë i ndalon muslimanët të shfrytëzojnë shërbimet që bankat konvencionale i ofrojnë? Arsyeja pse muslimanët nuk preferojnë të përdorin bankimin konvencional është se bankat konvencionale janë të bazuara në Rriba (kamatë-interes). Kamata është një gjë e ndaluar në të gjitha format dhe është shumë e urrejtur në Islam, sepse Kur’ani atë që e përdor kamatën e konsideron se është në luftë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij.1 Muslimanët janë të ndaluar të përdorin gjërat që i ka ndaluar Allahu i Madhërishëm, kështu që nevoja për bankimin islam shtohet gjithnjë e më shumë. Bankat Islame janë të parapara t’i zëvendësojnë shërbimet që ofrojnë bankat konvencionale të cilat vijnë në kundërshtim me ligjet e sheriatit, me shërbime të cilat janë të lejuara. Ato sherbime apo veprime që nuk vijnë në kundërshtim me ligjet e Sheriatit, bankat islame i kanë adaptuar nga bankat konvencionale. Kjo mënyrë u ndihmon muslimanëve t’u shmangen transaksioneve të bazuara mbi kamatën, dhe në të njëjtën kohë të jenë në gjendje të kursejnë e të investojnë në biznese të ndryshme.2
Themelimi i drejtësisë është një nga objektivat kryesorë të Sheriatit. Një nga arsyet e dërgimit të pejgamberëve nga ana e Allahut është themelimi i drejtësisë. Padrejtësia është e ndaluar rreptësisht, pavarësisht a kemi të bëjmë me ndonjë musliman apo jomusliman apo edhe me ndonjë person të padrejtë. Ndalimi i kamatës në Kur’an është një rregullim i dimensioneve morale në një sistem ekonomik, dhe gjithashtu themelim i një sistemi ku të gjitha format e shfrytëzimit të padrejtë janë të eliminuara.3
Transaksionet që e kanë bazë të të ardhurave kamatën, cenojnë aspektin e barazisë a drejtësisë së organizimit ekonomik. Ai që merr kredi, është i obliguar të paguaj një përqindje të paracaktuar për shumën që merr, edhe pse ai ka mundësi të mos fitojë apo edhe të humbë në atë biznesin që e drejton. Kjo konsiderohet kundër normave islame të drejtësisë.4 Në sistemin islam ndahet vetëm fitimi, dhe, nëse dështon projekti, ndahet humbja në mes të atij që jep kapitalin dhe atij që bën tregtinë.
Në sistemin konvencional, bankat janë të interesuara që t’i rritin fondet e tyre duke përfituar nga kamata, e jo nga suksesi i biznesit që organizon një kompani apo një person. Pasi të ardhurat e bankës varen vetëm nga kamata, bankat i japin përparësi atij që paguan kamatë më të madhe dhe jo një projekti i cili është më i dobishëm për të mirën e shoqërisë apo për zhvillimin e vendit.5
Koncepti i Bankimit Islam
Bankimi Islam është një koncept, qëllimi i të cilit është futja e vlerave dhe etikës Islame në sferën e ekonomisë dhe posaçërisht në atë bankar. Ne besojmë se pronari absolut i çdo gjëje që ekziston, është Allahu i Madhërishëm, kurse njeriu është vetëm halifeh (misionar) i Tij. Njeriu duhet t’i shfrytëzojë pasuritë që ia ka dhuruar Allahu, në mënyrë që t’i përmbushë obligimet ndaj Tij, një prej të cilëve është përparimi i përgjithshëm për mbarë njerëzinë.6
Parimet e Bankimit Islam
Bankat Islame duhet të operojnë në ujdi me kondita fetare të caktuara, të cilat dallojnë nga parimet e bankave konvencionale. Parimet kryesore të Bankës Islame janë:
- Ndalimi (Largimi) i Kamatës në të gjitha veprimet.
- Ndërmarrja e të gjitha aktiviteteve në biznes dhe tregti duke patur synim të vetin që fitimi të jetë legjitimisht Hallall (i lejuar sipas Sheriatit). Duhet të ketë një Komision Sheriati, të formuar nga njerëz që i njohin ligjet e Sheriatit dhe e kontrollojnë bankën që veprimet të jenë Hallall.
- Pagimi i Zekatit nga veprimet bankare.7
- Bashkëpunimi në zhvillimin e shoqërisë.
- Largimi i Gararit (paqartësive) dhe Mejsirit (bixhozit) nga operimi.8
1. Ndalimi i kamatës
Termi Rriba i referohet shumës së kapitalit shtesë, e cila jepet mbi vlerën e kapitalit të huazuar për një kohë të caktuar për të cilën është dhënë apo marrë kapitali. Ndalimi i përdorimit të kamatës në sistemin islam është më i rëndësishmi parim që e dallon sistemin islam prej atij konvencional. Ndalimi i përdorimit të kamatës është përmendur në katër Sure (kaptina) të ndryshme në Kur’anin famëlartë,9 dhe është shpjeguar nga Pejgamberi Alejhis-selam. Ajeti i parë në të cilin është përmendur kamata, është ai në suren Al-Rrum, që është zbritur në Mekë dhe nuk është i asaj natyre ndaluese siç janë ajetet e tjera. Aty thuhet se kamata nuk shtohet tek Allahu, d.m.th. për të nuk ka shpërblim në botën tjetër. Sipas komentatorit të njohur të Kur’anit, Ibn Xherir Taber, fjala Rriba e përmendur në këtë ajet, e ka kuptimin ‘dhuratë’ që jepet ndonjë personi me qëllim që të marrë një dhuratë më të madhe kur ai person ia kthen atë dhuratë me vonë.10 Marrja a dhënia e kamatës, ash-tu si praktikohet në sistemin konvencional, është e ndaluar rreptësisht në atë islam dhe ajo duhet të zëvendësohet me mjete tjera që janë të lejuara në Islam.
2. Aktivitetet që i ndërmerr banka të jenë Hallall (të lejuara sipas Sheriatit)
Bankat Islame aktivitetet e tyre duhet t’i ndërmarrin patjetër, vetëm pasi të sigurohet se ajo që ndërmarrin, është hallall. Në mënyrë që të sigurohet se çdo gjë e ndërmarrë nga bankat islame nuk është në kundërthënie me ligjet islame, banka duhet të ketë komisionin kontrollues të Sheriatit. Ky komision përbëhet nga juristë islamë që e këshillojnë dhe e ndihmojnë atë. Qëllimi kryesor i këtij komisioni është të sigurojnë se, së pari: produktet dhe serviset që u ofron banka konsumatorëve, janë në ujdi me rregullat e Sheriatit; së dyti: investimet dhe pro-jektet në të cilat banka merr pjesë janë të pranuara në Islam, dhe së treti: vetë banka është e drejtuar në ujdi me parimet islame.11
3. Pagesa e Zekatit
Feja islame i rregullon marrëdhëniet e njeriut me Allahun dhe me shoqërinë, gjithashtu rregullon jetën e njeriut në aspektin material dhe atë shpirtëror. Bankat islame duhet të paguajnë Zekat prej operacioneve të veta, dhe gjithashtu duhet të themelojnë fonde për grumbullimin dhe shpërndarjen e Zekatit. Zekati është një obligim fetar, dhe është një nga pesë shtyllat e Islamit. Dhënia e zekatit sjell një harmoni shoqërore, përveç kryerjes së obligimit fetar.12
4. Bashkëpunimi në zhvillimin e shoqërisë
Bazuar në mësimet islame, ne e dimë se bashkëpunimi në zhvillim për të mirën e përgjithshme të shoqërisë është me rendësi të madhe, dhe është një prej parimeve të bankimit islam.13
5. Largimi i Gararit (paqartësive) dhe Mejsirit (bixhozit) nga operimi.
Termi Garar u referohet spekulimeve a paqartësive të paarsyeshme. Në fushën e biznesit ky term i referohet ndërmarrjes së ndonjë projekti verbërisht pa pasur njohuri të mjaftueshme. Ose ndërmarrjes së ndonjë biznesi me rrezik të madh pa pasur ndonjë arsye të fortë. Termi Mejsir i referohet bixhozit apo lojërave të fatit, kjo është një gjë e ndaluar me Kur’an (Suretu el Maide: 90-91), dhe së bashku me të të gjitha bizneset që përmbajnë ndonjë element të bixhozit, janë të ndaluara.14
Disa karakteristika që e dallojnë sistemin islam nga ai konvencional
Në këtë pjesë do t’i përmend shkurtimisht disa nga karakteristikat kryesore të bankimit islam. Sikurse te sistemet e tjera ekonomike ashtu edhe në ato islame, paraja dhe sistemi bankar luajnë një rol të rëndësishëm. Mirëpo, që të jetë ky rol i njohur në sistemin islam, duhet të jetë konform me mësimet islame dhe të jetë për përmbushjen e aspiratave të popullit. Islami synon që dhurata e Allahut dhënë një shoqërie, të shfrytëzohet deri në maksimum nga ajo shoqëri në mënyrë të arsyeshme pa ndonjë shpenzim të panevojshëm, me një drejtësi shoqërore dhe kategorizim të drejtë. Për të arritur këtë qëllim, Islami thekson kontrollin në procesin e fitimit dhe shpenzimit të pasurisë.15
Sistemi islam është një sistem që ndan humbjen dhe fitimin PLS (Profit and Loss Sharing), e jo i bazuar thjeshtë mbi kamatën sikur në kapitaliz-ëm. Përfitimi është i bazuar në produktivitetin dhe performimin e projektit. Ky sistem kërkon që të gjithë faktorët ekonomikë të aktivizohen në mënyrë produktive dhe jo disa të bëhen klasë parazite që jetojnë nga të ardhurat e kamatës, dhe në të njejtën kohë bëhen barrë e shoqërisë dhe penge-së e progresit shoqëror në përgjithësi, e cila shpie drejt një humbjeje të potencialit prodhues.16 Në sistemin konvencional investori ballafaqohet me një pasiguri në të cilën rezultatet e projektit apo biznesit të tij nuk mund të parashihen me një siguri të madhe, ndërsa ai është i obliguar të përcaktojë veten e tij të paguajë një shumë të kamatës, e cila është e paracaktuar. Ndonjëherë ndodh që nga pasiguria e rezultatit përfundimtar, investuesi të lërë projektin për të cilën kamata duhet të paguhet patjetër.17
Banka Islame i ka rrënjët mbi baza morale dhe ka strukturë që të ketë parasysh gjërat që janë hallall dhe haram. Një aktivitet i cili në sistemin kapitalist konsiderohet të jetë i arsyeshëm sepse ka kërkesë në treg, dhe pas asaj kërkese qëndron një fitim i madh siç janë: pijet alkoolike, bixhozi, prostitucioni, etj., në sistemin islam nuk është i lejuar. Banka Islame nuk e ka si qëllim të vetin përfundimtar vetëm të bëjë profit, por gjithashtu ka parasysh që biznesi që ndërmerr të mos shërbejë për degjenerimin e shoqërisë apo për gjëra të tjera të ndaluara në Islam.18
Sistemi islam është i orientuar në një ekonomi që tenton t’i shfrytëzojë të gjitha pasuritë materiale deri në maksimum, sepse çdo gjë e krijuar në qiej e në Tokë, është krijuar për të mirën e njerëzisë dhe ato duhet t’i shërbejnë qëllimit për të cilin janë krijuar. Në këtë mënyrë largohen vështirësitë nga njerëzit dhe krijohet një ambient i përshtatshëm ku njerëzit mund ta shfrytëzojnë kohën e tyre për të mirën e vetvetes, familjes dhe shoqërisë.19
Një karakteristikë tjetër e sistemit ekonomik islam është besimi në Prezencën Hyjnore, që është një influencë etike në sjelljet ekonomike. Muslimani beson se është shpirtërisht në lidhje direkte me Allahun, i Cili dëgjon e shpërblen për punë të mira dhe ndëshkon për punë jo të mira. Duke i ditur të gjitha këto, ata synojnë ndihmën e Allahut dhe bekimin e Tij në çdo hap të rëndësishëm që marrin. Dhe bëjnë vetëm punë që bëjnë që Allahu të jetë i kënaqur me ta, sikurse janë: të ushqyerit e të varfërve, ndihma e jetimëve, mosmarrja e kamatës në huatë që japin etj. Dhe njëherit kjo është një forcë motivuese në aktivitetet ekonomike dhe sjelljet etike.20
Sfera shoqërore e Bankimit Islam
Zhvillimi ekonomik në konceptin islam ka për qëllim të sjellë të mira materiale dhe kënaqësi shpirtërore për njerëzit. Për t’i arritur të gjitha këto njerëzit duhet të organizojnë e të implementojnë fitimet dhe shpenzimet në përputhshmëri me jetën që përshkruan Kur’ani. Këto aktivitete duhet të gjenerojnë tepricën (shumën jashtë shpenzimeve) për t’u ndihmuar atyre që janë të nevojshëm duke e konsideruar kryerje të një ibadeti (adhurim), siç janë Zekati dhe obligimet e tjera shoqërore. Ajo ndihmë duhet të dedikohet për furnizimin e atyre që janë të varfër ose të hendikepuar dhe nuk kanë mundësi të fitojnë për nevoja të veta.21
Bankat islame i japin prioritet dhe ndihmojnë në investime të projekteve që ndihmojnë në zgjedhjen e proble-meve të shoqërisë, duke krijuar vende të punës për një numër punëtorësh. Sepse, Islami e vlerëson shumë pozitive që ndihma ndaj të tjerëve të bëhet në atë mënyrë pa i turpëruar dhe pa ia humbur respektin e atyre që kanë nevojë për ndihmë. Mënyra më e mirë për ta realizuar këtë, është të krijoj vende pune për ta, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të punojnë dhe të fitojnë për nevojat e veta.22
Aktivitet tjetër që praktikohet nga bankat Islame e që shkon në dobi të shoqërisë, është edhe dhënia e ‘kard al Hasen’ (hua pa kamatë) për disa kategori njerëzish, p.sh. të paaftëve, të vejave, investimi apo ndihma në edukim, etj.
________________
Fusnotat:
1 Suretu el Bekare Ajeti 279.
2 Muhammad Nejatullah Siddiqi, “Islamic Banks: Concept, Precept and Prospects”, Review of Islamic Economics, No. 9, 2000, f.22.
3 Muhammad Umar Chapra, “Why Has Islam Prohibited Interest? Rationale Behind Prohibition of Interest,” Review of Islamic Economics, No. 9, 2000. f.6-7.
4 Saad Abdul Sattar Al-Harran, Islamic Finance: Partnership Financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993), f.23.
5 Iibid. 24.
6 Ibid. 53.
7 Sudin Haron, Islamic Banking: Rules and Regulations, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1997) f, 7.
8 Mervyn K. Lewis and Latifa M. Algoud, Islamic Banking, (Cheltenham: Edward Elgar, 2001), f.34.
9 Suretu El-Rrum 39, Nisa: 161. Ali Imran: 130. Bekaretu: 275-281.
10 Justice Muhammad Taqi Usmani, The Text of the Historic Judgment on Riba (Interest) Given by Supreme Court of Pakistan 23rd December 1999, (Kuala Lumpur: The Other Press, 2001)f.6-7.
11 Haron, 103.
12 Masudul Alam Choudhury and M. Kabir Hassan. “The Role of Zakah in an Interactive Model of Non-Wage Labor Fforce Activity” Review of Islamic Economics, No. 10, 2001. f.41.
13 Lewis & Algoud, 31.
14 Ibid..
15 Muhammad Umar Chapra, Towards Just Monetary System, (Leicester: The Islamic Foundation, 1985), f.33.
16 Florence Eid, “Studies of Islam, Economics, and Governance: A survey of Some New Developments”, American Journal of Islamic Social Sciences, Vol. 11, No. 1. 1994. f.44.
17 Muhammad Nejatullah Siddiqi, Issues in Islamic Banking: Selcted Papers, (Leicester: The Islamic Ffoundation, 1984), f.54.
18 Ibid.
19 Chapra, Just And Mmonetary System, f.35.
20 Syed Nawab Haider Naqvi, Islam, Economics, and Society, (London: Kegan Paul International, 1994), f.15.
21 Ibid.
22 Ziauddin Ahmad, Islam, Poverty and Income Distribution, (Leicester: The Islamic Foundation, 1991), f.18.
burimi: DituriaIslame
|