Pyetje:
Unë dhe burri im jemi të punësuar dhe, prejse kam filluar të punoj, unë kam filluar të kursej një pjesë të vogël të rrogës sime me qëllim të blerjes së një shtëpije. Deri më tani, 15 vite më vonë, unë nuk kam qenë në gjendje të kursej gjysmën e shumës së parave të nevojshme për blerjen e një shtëpije, për shkak të harxhimeve të mëdha të jetës dhe çmimevetë larta të pasurisë së patundshme në qytetet e mëdha. Pyetja ime është: si ta paguaj Zekatin, edhe nëse kjo do të ndikonte në sasinë e parave?
Përgjigje:
Falënderimi i takon All-llahut.
Nëse njeriu posedon nisab-in (sasinë minimale të pasurisë, tek e cila obligohet Zekati) dhe ka kaluar një vit i plotë hixhrij që prej arritjes së kësaj sasie, atëherë ai duhet të paguajë Zekatin në të, edhe nëse ai ka ndarë ato para për të ndërtuar shtëpi, për t'u martuar apo për të shkuar në Haxhxh, etj., për shkak të kuptimit të përgjithshëm të argumetit i cili thotë se, pagimi i Zekatit në pasuri është obligativ.
Nisabi për para është barazvlera e 597 gramëve të argjentit, dhe sasia e cila duhet dhënë është 2.5%, d.m.th. një e katërta e të dhjetës.
Zekati është urdhëruar nga All-llahu për të pastruar pasurinë, për ta shtuar atë dhë për të sjellur bekim, dhe për t'u ndihmuar të varfërve dhe nevojtarëve. Ky është një obligim i madh dhe nuk lejohet mospërfilja e tij, pasiqë pasuria i takon All-llahut dhe Ai është Ai i Cili ka urdhëruar Zekatin dhe ka tërhequr vërejtjen kundër mospërfilljes së tij. All-llahu thotë:
"Falni namazin dhe jepni zeqatin, dhe përuluni (në ruku’) me ata që përulen."
[el-Bekareh, 43]
"Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon dhe sheh."
[et-Teubeh, 103]
"Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e All-llahut, lajmëroji për një dënim të dhëmbshëm."
[et-Teubeh, 34]
Kenz-i (sh.p. fjala që përdoret në këtë ajet) nënkupton çdo lloj pasurie e cila i nënshtrohet Zekatit, mirëpo për të cilën nuk është paguar Zekati.
Muslimi (987) transmeton se Ebu Hurejra [RadijAllahu Anhu] ka thënë: "I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka thënë:
"Nuk ka asnjë pronar i arit apo argjentit, i cili nuk e paguan atë që i është obliguar, veçse kur të vijë Dita e Gjykimit, për të do të përgaditen pllaka nga zjarri të cilat do të nxehen në Zjarrin e Xhehennemit, dhe do t'u sillet me to anash, përpara dhe prapa. Çdo herë kur ato të ftohen, përsëri do të nxehen për të, në një ditë gjatësia e së cilës është sa pesëdhjetë mijë vite, derisa të ketë përfunduar gjykimi i njerëzve. Pastaj atij do t'i tregohet drejtimi i tij, ose për në Xhennet ose për Xhehennem."
I Dërguari i All-llahut (SalAllahu Alejhi ve Selem) na ka treguar se, pasuria nuk pakësohet nga dhënia e Zekatit, por ajo bekohet dhe shtohet. Ai [SalAllahu Alejhi ve Selem] ka thënë:
"Pasuria nuk zvogëlohet prej (sh.p. dhënies së) sadakasë."
[Muslimi, 2588]
Shumë njerëz mospërfillin çështjen e bekimit të pasurisë. Një njeri mund të posedojë sasi të mëdha të pasurisë por kjo nuk i mjafton atij, dhe kjo nuk i sjellë atë që ai dëshiron; ai nuk ndien ndonjë lehtësi apo lumturi për shkak të saj. Mirëpo, dikush tjetër mund të posedojë një sasi të vogël të pasurisë e cila është bekuar për të, andaj ai është i lumtur dhe i kënaqur me të. Kjo është diçka që është shumë e njohur.
Prandaj, mos hezitoni të paguani Zekatin në pasurinë tuaj, dhe bëjeni këtë me dëshirë dhe gëzim. Përkujtoni se, ajo që jemi duke synuar është kënaqësia e All-llahut, ndërsa kjo botë është e përkohshme dhe kaluese, dhe është një kënaqësi e cila do të zbehet së shpejti.
"..jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues."
[Al 'Imran, 185]
Sheikh Ibn Uthejmin [All-llahu e mëshiroftë] ka thënë:
"Ajo që Muslimani duhet bërë është që të paguajë Zekatin tërësisht, duke qenë i nënshtruar ndaj All-llahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij [SalAllahu Alejhi ve Selem], duke i plotësuar Shtyllat e Islamit dhe duke mbrojtur vetvehten nga dënimi, dhe duke mbrojtur pasurinë e tij nga humbja dhe të qenurit i privuar nga bekimi. Zekati është dhunti, e jo dënim. All-llahu thotë:
"Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon dhe sheh."
[et-Teubeh, 103]
Ai, të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri, duhet ta llogarisë mirë Zekatin.
Pasuria është tri lloje:
- Pasuria në të cilën Zekati definitivisht është i obliguar, si: pasuria në ari dhe argjent, apo policat dhe faturat që kanë zënë vendin e saj. Zekati është i obligueshëm për këtë, pa marrë parasysh a është lënë anash për tregti, shpenzim, blerje të shtëpisë për jetesë apo si mehr për martesë, etj.
- Pasuria në të cilën Zekati definitivisht nuk është i obliguar, si: shtëpia në të cilën njeriu jeton, automjeti të cilin nget, mobilet e shtëpisë, e kështu me radhë.
Këto dy çështje janë të qarta.
Lloje të pasurisë rreth të cilave ka disa dallime në mendime, siç është rasti me borxhet të cilat ende nuk janë paguar. Ajo që ju duhet bërë është që, të pyesni dijetarët rreth kesaj, ashtuqë ju të kuptoni obligimet e juaja fetare dhe ta adhuroni All-llahun si duhet.
Nuk është e lejuar për një Musliman që të jetë i pakujdesshëm rreth çështjes së Zekatit, apo të jetë përtac rreth dhënies së tij (sh.p. Zekatit) atyre të cilëve u takon, për shkak të vërejtjes së ashpër rreth kësaj, e cila është përmendur në Librin e All-llahut dhe në sunnetin e të Dërguarit të Tij [SalAllahu Alejhi ve Selem]."
Mexhmu' Fatava el-Sheikh Ibn Uthejmin, 18/299
All-llahu na ndihmoftë neve dhe juve që të bëjmë atë që Ai don dhe me të cilën Ai është i kënaqur.
Dhe All-llahu e di më së miri.
përgaditi: Abdullah Nesimi
burimi: Islam QA
Kur´an dhe Sunnet |