Header image  
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit  
line decor
   Deutsch / English
line decor
 
 
 
 

 
 

Blerja e shtëpive me kredi bankare kamatore nga ana e muslimanëve në vendet jo islame

VENDIMI I AKADEMISË:

Akademia e analizoi çështjen e cila ka marrë përmasa të mëdha në Evropë dhe në të gjitha vendet perëndimore, gjegjësisht blerjen e shtëpive me borxh të marrë me kamatë nga bankat e sotme.

Akademisë iu prezantuan disa gjurmime përkitazi me çështjen në fjalë. Disa e mbështesin një gjë të tillë, kurse disa e kundërshtojnë. Këto gjurmime u lexuan në Akademi, e pastaj pasoi debat i gjërë rreth tyre. Në fund, shumica e anëtarëve të Akademisë arritën në përfundimin vijues:

1. Akademia e konfirmon dispozitën e pranuar me koncenzus nga myslimanët, se kamata është e ndaluar - haram, se ajo është një nga shtatë mëkatet shkatërruese dhe mëkatet e mëdha e cila e legjitimon luftën nga ana e All-llahut dhe të Dërguarit të Tij. Po ashtu, Akademia e konfirmon dispozitën që e miratuan Akademitë e të drejtës islame, se kamata që e japin bankat është e ndaluar.

2. Akademia kërkon prej muslimanëve në Perëndim që të mundohen sa të kenë mundësi të gjejnë alternativa legjitime jo të dyshimta, siç është për shembull shitblerja me përfitim (bej’u-l-murabeha), të cilën e praktikojnë bankat islame, e po ashtu edhe formimi i kompanive islame të cilat do të ndërtojnë shtëpi dhe do t’i shesin ato me kushte të favorshme dhe të mundshme për pjesën dërrmuese të muslimanëve, etj.

3. Po ashtu, Akademia i thërret Forumet Islame në Evropë që të kontaktojnë me bankat ekzistuese evropiane që transaksionet e këtilla t’i shndërrojnë në forma të pranuara fetarisht, siç është shitja në këste, në të cilat shtohet çmimi si rezultat i prolongimit të afatit. Një formë e këtillë do t’u sillte atyre shumë muslimanë, të cilët do të bënin transaksione në bazë të kësaj mënyre, e që në fakt edhe zbatohet në disa vende evropiane. Po ashtu, disa banka të mëdha perëndimore kanë hapur degë të veta në vendet arabe, ku transaksionet zhvillohen konform Sheriatit Islam, siç është rast në Bahrejn dhe disa vende tjera.

4. Akademia mund të ndihmojë në këtë drejtim, duke u drejtuar ftesë këtyre bankave që ta ndryshojnë veprimtarinë e tyre me muslimanët.

Nëse në kohën tonë nuk mund të veprohet sipas asaj që përmendëm, Akademia, në bazë të argumenteve, kritereve dhe vlerësimeve juridike islame, nuk e sheh problem zbatimin e kësaj metode, gjegjësisht kredinë me kamatë nga bankat ekzistuese, për blerjen e shtëpisë për të cilën ka nevojë muslimani për të banuar bashkë me familjen e vet. Mirëpo, kusht për këtë është që muslimani mos të ketë shtëpi tjetër që i mjafton, pra, shtëpia që e blenë kështu të jetë banesa e tij e vetme. Po ashtu, kusht është që mos ketë mjete të bollshme financiare që ia mundësojnë ta blejë shtëpinë në formë tjetër, e jo me kredi me kamatë.

Akademia këtë qëndrim e ngrit mbi dy shtylla themelore:

Shtylla e parë: Rregullën “Ed-daruratu tubihu-l-mahdhurat” (Domosdoshmëria e lejon të ndaluarën), që në fakt është rregull e pranuar unanimisht, e që është nxjerrur nga tesktet e Kur’anit në pesë ajete. Prej tyre janë fjalët e All-llahut të Madhërishëm në kaptinën El-En’am: “... e Ai ju sqaroi se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar (atëherë edhe harami është hallall)...”[1] Po ashtu, në të njëjtën kaptinë, pas përmendjes së ushqimeve të ndaluara, All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush detyrohet (t’i hajë këto të ndaluara), por duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është që falë e mëshiron shumë.”[2] Në këtë kontekst juristët islamë kanë konfirmuar se gjëja e nevojshme (el-haxhe) merr statutin e asaj të domosdoshme (darure), qoftë e përveçme apo e përgjithshme.

E nevojshme është ajo gjë që, nëse nuk realizohet, muslimani hasë në vështirësi, edhe pse mund të jetojë edhe pa të, për dallim prej asaj që është e domosdoshme, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë. All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik e ka ngritur vështirësinë nga muslimanët. All-llahu i Madhërishëm thotë: “... dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi...”[3] Po ashtu në kaptinën El-Maide thotë: “All-llahu nuk dëshiron (me obligim për abdest e larje) t’ju sjell ndonjë vështirësi...”[4]

Banesa e cila e eliminon nga muslimani vështirësinë është bansesa e përshtatshme për nga aspekti i pozitës, gjërësisë dhe kushteve të nevojshme, ashtu që të jetë me plotkuptimin e fjalës banesë.

Edhe pse Akademia e ka mbështetur rregullën e domosdoshmërisë apo nevojës e cila ka tretmanin e të domosdoshmes, nuk e ka neglizhuar rregullën tjetër plotësuese të të parës, gjegjësisht rregullën: “Ajo që është e lejuar për shkak domosdoshmërisë mbetet në kufijtë e të domosdoshmes”. Andaj, nuk lejohet të pronësohen shtëpitë për tregti dhe të ngjashme.

Nuk ka dyshim se shtëpia është e domosdoshme për individin dhe familjen muslimane, të cilën All-llahu ua fali mirësi për robët e vet, duke thënë: “All-llahu ju bëri shtëpitë tuaja vendbanim të qetë...”[5] I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], shtëpinë komfore e ka trajtuar një nga katër apo tre elementet e lumturisë. Banesa me qira nuk i plotëson të gjitha nevojat e muslimanit dhe nuk i ofron qetësi të plotë, edhe pse muslimanit i kushton shumë qiraja që ia jep jo myslimanit. Ai vazhdon vite me rradhë të japë qira, pa mos futur në pronësi të vet asnjë tullë të banesës përkatëse. Përskaj kësaj, muslimani i është ekspozuar dëbimit prej banese nëse shtohen fëmijët apo miqtë e tij. Po ashtu, nëse plaket, pakësohen të ardhurat apo i ndërpriten në tërësi, i ekspozohet rrezikut të mbetet në rrugë.

Blerja e banesës i largon prej muslimanit problemet e sipërpërmendura. Kjo po ashtu i mundëson që të zgjedhë banesë afër xhamisë, qendrës islame dhe shkollës islame, ashtu që bashkësisë muslimane i jepet rast që të afrohen me banesat e tyre, e ndoshta kështu të formojnë një shoqëri të vogël islame brenda shoqërisë së madhe. Në këtë mënyrë do të njoftohen fëmijët e tyre, do të forcohen lidhjet e tyre dhe do të ndihmohen në bashkëjetesë nën hijen e koncepteve islame.

Njëkohësisht, kjo ia mundëson muslimanit që ta rregullojë shtëpinë e vet sipas nevojave të veta fetare dhe shoqërore, sepse është shtëpi e tij personale.

Përskaj këtyre nevojave personale për çdo musliman, është edhe nevoja e përgjithshme e bashkësisë myslimane, e cila jeton si pakicë jashtë shtetit islam, e që mishërohet në përmirësimin e kushteve të jetesës së kësaj bashkësie, ashtu që të ngritet standardi i tyre dhe të jenë të denjë në përkatësinë e tyre në Ummetin më të dalluar dhe të prezantojnë një imazh të ndritshëm të Islamit para jo myslimanëve.

Po ashtu, kjo mishërohet edhe në çlirimin e tyre nga shtypjet ekonomike ndaj tyre, ashtu që ta kryejnë obligimin e predikimit islam dhe të kontribuojnë në ngritjen e shoqërisë së përgjithshme, gjë që konsiston në atë që mos të lodhet e mundohet muslimani vazhdimisht gjatë gjithë jetës së vet për ta paguar qiranë e shtëpisë dhe harxhimet e jetesës, pa mos pasur rast për t’i shërbyer shoqërisë së vet apo ta predikojë fenë e vet.

Shtylla e dytë: Paraqet mendimin e Ebu Hanifes dhe nxënësit të tij Muhammed ibn El-Hasen Esh-Shejbanit, që në fakt paraqet edhe mendimin e mbështetur në shkollën juridike hanefite. Po ashtu ky është edhe mendimi i Sufjan Eth-Theurit, Ibrahim En-Nehaijut, një nga versionet e Ahmed ibn Hanbelit, si dhe e ka miratuar Ibn Tejmijje - sikur që potencojnë disa juristë hanbelit. Sipas këtij mendimi, lejohet të bëhen transaksione me kamatë dhe kontrata tjera jo valide mes muslimanëve dhe jo muslimanëve në vendet jo islame.

Mbështetjen e këtij mendimi në rastin konkret e favorizojnë shumë aspekte, prej të cilave do të veçonim:

1. Muslimani nuk obligohet fetarisht që t’i zbatojë ligjet civile, ekonomike, politike etj, që iu referohen sistemit publik në një shoqëri që nuk i beson Islamit, sepse një gjë e tillë nuk është e mundshme për të, kurse All-llahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij. Ndërkaq ndalimi i kamatës është prej dispozitave të cilat kanë të bëjnë me identitetin e shoqërisë, filozofinë e shtetit dhe orientimin e tij social dhe ekonomik.

Prej muslimanit kërkohet që t’i zbatojë ligjet që kanë të bëjnë me të si individ, siç janë dispozitat e ibadeteve-adhurimeve, hajeve, pijeve, veshjes, martesës, shkurorëzimit, kthimit të gruas pas shkurorëzimit, afatit të pritjes, trashëgimisë, si dhe çështjeve tjera të të drejtës civile, ashtu që nëse i bëhen atij shtypje në këto çështje dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’i zbatojë dispozitat fetare, atëherë obligohet të migrojë në vende tjera përderisa ekziston mundësia për një gjë të tillë.

2. Nëse muslimani nuk vepron me këto transaksione jo valide - ku bën pjesë edhe kamata - në vendin e huaj, kjo mund të jetë shkak që të përmbajturit e muslimanit rregullave islame të bëjë që ai të dobësohet ekonomikisht dhe të humb financiarisht, ndërkaq Islami e forcon muslimanin e nuk e dobëson, ia shton pasurinë e nuk ia pakëson, i sjell dobi e jo dëm. Disa dijetarë të gjeneratave të para (selefit) lejueshmërinë e trashëgimit të muslimanit prej jo muslimanit e kanë bazuar në hadithin: “Islami shton e nuk pakëson”[6], gjegjësisht ia shton muslimanit e nuk ia pakëson, si dhe hadithin: “Islami dominon, e nuk dominohet”[7]. Andaj, nëse muslimani nuk bën transaksione sipas këtyre kontratave të cilat popullata e atij i vendi i ka miratuar, atëherë kjo do të shkaktojë që ai çdo herë ta japë atë që i kërkohet, e mos e marrë atë që i kompenzohet, ai i zbaton këto ligje dhe transaksione për obligimet materiale që duhet t’i kryejë, e nuk i zbaton këto ligje për përfitimet që i meriton, pra ai çdo herë duhet të paguajë, e asnjëherë të marrë. Me këtë muslimani çdo herë do të jetë i dhunuar financiarisht për shkak se u përmbahet dispozitave islame në këtë drejtim. Islami assesi nuk synon ta dhunojë muslimanin për shkak se i përmbahet Islamit, e ta lë atë në vendet jo islame që ta shtrydhin dhe ta shfrytëzojnë jo muslimanët, duke ia ndaluar atij që t’i shfrytëzojë transaksionet me jo muslimanët, në dritë të kritereve ekzistuese dhe të pranuara tek ata.

Për sa i përket asaj se, shkolla juridike hanefite e lejon veprimtarinë me kamatë nëse është në pyetje marrja e jo dhënia, sepse muslimani nuk ka dobi në dhënie dhe ata nuk e lejojnë veprimtarinë sipas transaksioneve jo valide, vetëm se me dy kushte:

I pari: Që në transaksionet e tilla të ketë dobi për muslimanët;

I dyti: Që mos i bëhet tradhti dhe mashtrim jo muslimanit, ngase në këtë mënyrë nuk përfiton muslimani.

Pra, përgjigja për këtë është se kjo nuk pranohet, siç argumenton për këtë qëndrimi i Muhammed ibn Hasen Esh-Shejbanit në veprën Es-Sijer el-kebir, si dhe thëniet e juristëve më të vjetër hanefit. Ngase, edhe pse muslimani në këtë rast jep kamatë, ai përsëri përfiton, sepse në fund shtëpinë e fut në pronësi të vet.

Muslimanët të cilët jetojnë në Perëndim, qoftë në biseda të drejtpërdrejta apo përmes korrespodencave, e kanë pohuar se këstet të cilat ia paguajnë bankës janë në sasi të pagesës që ia japin pronarit, madje disa herë janë edhe më të vogla.

Kjo konsiston në atë se, nëse ne e ndalojmë zhvillimin e transaksioneve me kamatë me bankën, e kemi privuar muslimanin nga blerja e shtëpisë për nevojat e tij dhe të familjes së tij, ndërsa shtëpia është prej nevojave themelore të njeriut, sikur që shprehen juristët. Ai ndoshta do të vazhdojë njëzet apo tridhjetë vjet, apo edhe më tepër, të paguajë qira mujore apo vjetore, pa mos marrë në pronësi të vet diçka, ndërkaq, ai brenda njëzet vjetësh, e ndoshta edhe më pak, ka pasur mundësi të posedojë shtëpi.

Nëse transaksioni i këtillë nuk është i lejuar sipas shkollës juridike hanefite dhe bashkëmendimtarëve të tyre, do të ishte i lejuar sipas të gjithëve, për shkak nevojës e cila disa herë merr tretmanin e të domosdoshmes në tolerimin e të ndaluarës. E në veçanti kur kihet fakti se këtu muslimani nuk e hanë kamatëm, por tjerët ia hanë, gjegjësisht ai jep kamatë, e nuk merr, ndërkaq, parimisht, ndalimi i referohet ngrënies së kamatës, sikur që deklarojnë ajetet kur’anore, ndërkaq dhënia e kamatës është ndaluar si masë preventive, sikur që po ashtu është ndaluar edhe regjistrimi i saj dhe dëshmimi i kontratës së kamatës. E gjithë kjo është bërë nga aspekti i ndalimit të mjeteve, e jo qëllimeve.

Është mirë e ditur se marrja e kamatës së ndaluar në asnjë rast nuk lejohet, ndërkaq dhënia e kamatës tjetrit lejohet në rast nevoje. Këtë e kanë pohuar juristët islamë dhe e kanë lejuar marrjen e borxhit me kamatë në rast nevoje, nëse para tij mbyllen dyert e hallallit.

Rregulli i njohur juridik është: “Ajo që është e ndaluar për shkak të vetes, lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, ndërsa ajo që është ndaluar si masë preventive, lejohet në rast nevoje”.

 

Marrë nga www.bashkimaliu.com


[1] Kaptina El-En‘amë, 119.

[2] Kaptina El-En‘amë, 145.

[3] Kaptina El-Haxhxh, 78.

[4] Kaptina El-Maide, 6.

[5] Kaptina En-Nahl, 80.

[6] Hadithin e përmend Ebu Davudi (nr. 2912), e prej rrugës së tij e transmeton Bejhekiu, vëll. VI, fq. 205, 254-255 me senedin e tij te Abdullah ibn Burejde se: Dy vëllezër u paditën te Jahja ibn Jaëmeri, njëri ishte hebre, e njëri musliman. Jahja ibn Jaëmer ia dha trashëgiminë muslimanit dhe tha: Më ka rrëfyer Ebu-l-Esvedi se një njeri i ka dëftuar se Muadhi i ka treguar duke thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: “Islami shton, e nuk pakëson”, andaj trashëgiminë ia dha muslimanit.

Senedi i këtij transmetimi deri te Ebu-l-Esvedi është i saktë, por ai është i ndërprerë ndërmjet Ebu-l-Esvedit dhe Muadhit, sepse nuk dihet transmetuesi ndërmjet atyre dyve. Për hadithin e transmetuar nga i Dërguari i All-llahut dëshmon edhe hadithi i Aid ibn Amër Et-Talit, me të cilin hadithi është i mirë me argumentet tjera (hasen li gajrihi).

[7] Hadithi është i gradës “hasenun ligajrihi” - i mirë, për shkak dëshmive tjera. Hadithin e transmeton Er-Revejani në Musned (nr. 783), Ebu Nuajmi në veprën Ahbaru Asbahan, vëll. I, fq. 65, Bejhekiu, vëll. VI, fq. 205, por në senedin e tij ka dy transmetues të panjohur (mexhhul), mirëpo për të dëshmon hadithi i Muadh ibn Xhebelit që i paraprinë atij, sikur që përmendet poashtu me sened të saktë prej Ibn Abbasit si thënie e tij, e këtë e transmeton Tahaviu në veprën Sherhu Mea’ni-l-athar, vëll. III, fq. 257, ndërkaq Buhariu në Sahih e përmend pa zinxhir transmetuesish, vëll. I, fq. 454, ndërkaq Ibn Haxheri në veprën Fet’hu-l-Bari, vëll. IX, 421 hadithin e konsideron të saktë. Po ashtu, edhe këtë transmetim edhe atë para tij e konfirmon ajeti: “Ai (All-llahu) është që e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë...” (Et-Tevbe: 33)

 
 

 
 
   

 

       

Hyrja ¦ Libri i vizitorėve ¦ Rreth Faqes ¦ Stafi ¦ Kontakt

Tė drejtat e rezervuara. Lejohet kopjimi dhe shperndarja nėse vihet nė dukje burimi i tyre.

©2005-2007 Ekonomia-islame.com