Gjurmët e para për ekzistimin e Trepçës gjenden në dokumentet e arkivit të Dubrovnikut dhe datojnë nga viti 1303. Shoqëria angleze "Selekton Trust" në vitin 1926 formoi ndërmarrjen "Trepça-Mines Limited", e cila filloi prodhimin provues ne vitin 1930. Pas kësaj filloi ndërtimi i metalurgjisë së plumbit në Zveçan dhe i asaj në Mitrovicë. Trepça ka gjashtë miniera.
Para luftës Trepça punësonte rreth 22'000 punëtorë. Produktet kryesore ishin xehet dhe koncentrati i plumbit dhe zinkut, plumbi i rafinuar dhe aliazhe te plumbit, argjend, ari, bizmut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra superfosfate, akumulatorë, bateri nikelkadmiumi, municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte prej llamarinës, materiale elektrokontakti, vagoneta, elektrolokomotiva për xehtari, pajime dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe xehtari e produktet të tjera. Aktualisht, Trepça nuk prodhon. Kjo shprehet mjaft keq në prodhimin e përgjithshëm industrial të Kosovës dhe në eksport, sepse pjesa dërmuese e produkteve të Trepçes eksportohej. Për riaktivizimin e Trepçës nevojitën investime të mëdha, të cilat duhet të sigurohen nga partnerët ekonomik të jashtëm dhe të brendshëm.
|